“KATIMERINI”: Dy skenarët e Athinës për referendumin

Ky vit do të përfundojë pa pasur nevojë pala greke të bëjë absolutisht kurrfarë hapi, shkruan gazeta greke “Katimerini” në analizën në vigjilje të referendumit tek ne.

Marketing

Siç lajmëron korrespondentja e MIA-s nga Athina, gazeta komenton se “referendumi më 30 shtator në IRJM për miratim (ose jo) të Marrëveshjes së Prespës, në Athinë ndiqet me dy skenarë bazë. Në rast se marrëveshja hidhet poshtë “Katimerini” shkruan se “Zoran Zaev nuk mund ta bëjë hapin e ardhshëm edhe krahas faktit që referendumi ka karakter konsultativ”.

Skenarin e dytë, të cilën e analizon gazeta është epilogu pozitiv dhe miratimi i marrëveshjes, pas së cilës mund të vijojë procesi i revizionit kushtetues “që mund të zgjasë edhe deri në tre muaj”.

“Në bazë të pozicionit të deritanishëm negativ të opozitës nacionaliste VMRO-DPMNE, nuk është e sigurt nëse suksesi i referendumit do t’ua ndryshojë mendjen deputetëve të partisë që ta miratojnë ndryshimin e Kushtetutës. Në këtë rast, Zaev do ta çojë IRJM-në në zgjedhje të parakohshme me qëllim që ta rrisë shumicën parlamentare dhe për ta shtypur VMRO-në. Pra, viti 2018 do të kalojë pa pasur nevojë pala greke të bëjë absolutisht asgjë, shkruan “Katimerini”.

Sipas gazetës, partnerët ndërkombëtar të Athinës, konsiderojnë se zgjedhjet e mundshme të parakohshme në Greqi mund ta çojnë marrëveshjen në qorrsokak.

Marketing