Komisioni Evropian (KE) mbështet qëndrimet e komisionarit për zgjerim të BE-së Johannes Hahn se vendimi për azilin e Nikolla Gruevskit ka nevojë për shpjegime shtesë nga autoritetet hungareze.
“Nuk ka ikje nga sundimi i ligjit”- tha zëdhënësi i KE, Margaritis Shinas.
Ai tha se vendimi për ti dhënë azil Nikolla Gruevskit është vendim që vjen nga gjyqtari dhe se Komisioni Evropian “nuk mundet të bëjë shumë në këtë aspekt” por kjo nuk do të thotë se nuk duhet të ketë shpjegime të mëtejshme.
“Ky lloj vendimi kërkon sqarime shtesë”- tha Shinas.
Komisioni Evropian konfirmoi marrjen e letrës nga eurodeputeti Benedek Javor në të cilën ai kërkon përgjigje nga komisioneri për Migrim, Dimitris Avramopulost për ligjshmërinë e vendimit për azil në Hungari.
Sipas Javor, ky vendim është në kundërshtim me direktivën e BE-së vitit 2011. KE gjithsesi nuk dëshiron të paragjykojë përgjigjen e Avramopoulosit, tha Shinas.