KE mbështet idenë e Ramës për një konferencë ndërkombëtare për Kosovën dhe Serbinë

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, mbështeti idenë për një konferencë ndërkombëtare për Kosovën dhe Serbinë, me qëllim uljen e tensioneve mes tyre.

Marketing

Sipas REL, Michel i bëri komentet në prag të një samiti të BE-së, që zhvillon punimet sot dhe nesër në Bruksel.

“Dua të them se ne e mbështesim edhe idenë për të organizuar, sa më parë që të jetë e mundur, një konferencë së bashku me disa shtete anëtare të BE-së“, tha Michel, duke theksuar edhe nevojën e koordinimit me SHBA-në.

“Mendoj se ka ardhur koha të kemi një qasje globale dhe të bëjmë hapa të qartë drejt normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi”, tha Michel.

“Kjo është shumë e rëndësishme, sepse ne kemi thënë se duam të përpiqemi maksimalisht për të bërë diçka për Ballkanin Perëndimor, së bashku me Ballkanin Perëndimor”, shtoi ai.

Idenë për mbajtjen e një konference ndërkombëtare për Kosovën dhe Serbinë e shpalosi më 27 qershor kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Atë ditë, Rama bisedoi në Bruksel më zyrtarë të lartë evropianë, përfshirë Michelin.

Tensionet mes Kosovës dhe Serbisë i ka rritur situata në veri të Kosovës, zonë e banuar me shumicë serbe.

Prej një muaji, banorët lokalë atje kundërshtojnë kryetarët shqiptarë të komunave, të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit.

Protestat e tyre kanë përshkallëzuar edhe në përleshje të dhunshme mes demonstruesve serbë dhe ushtarëve të misionit të NATO-s, KFOR.

Ka pasur, po ashtu, disa raporte për sulme me granata dore dhe mjete të tjera në atë zonë.

Kosova dhe Serbia kanë fajësuar njëra-tjetrën për situatën e krijuar.