Këngëtarja e famshme irlandeze Sinead O’Connor, e cila pasi njoftoi se është bërë muslimane mori emrin Shuhada Davitt, falënderoi muslimanët për mesazhet e ngrohta që pranoi me këtë rast, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Falënderime të shumta për të gjithë vëllezërit dhe motrat muslimane, të cilët kanë qenë shumë të ngrohtë për të më mirëpritur si pjesë e umetit sot në këtë faqe. Nuk mund të imagjinoni se sa vlerë ka ëmbëlsia juaj për mua”, ka shkruar Davitt në llogarinë e saj në Twitter me emrin përdorues “MagdaDavitt77”.
Davvit dje në rrjetin social Twitter ndjekësve të saj u bëri të ditur se e ka braktisur krishterizmin katolik dhe e ka pranuar Islamin.
“Ndjehem krenare që jam bërë muslimane. Ky është rezultat i natyrshëm i çdo udhëtimi të teologut inteligjent. Studimi i të gjitha shkrimeve të shenjta të çojnë në Islam. Islami i bën të gjitha shkrimet e tjera të tepërta”, ka shkruar ajo.
Këngëtarja 51-vjeçare po ashtu njoftoi emrin e ri “Shuhada Davvit” dhe shpërndau fotografi me hixhab.
Ajo në vend të fotografisë së profilit ka përdorur një fotografi ku shkruan slogani i kompanisë së veshmbathjeve sportive amerikane “Just Do It” (Vetëm bëje) mbi të cilin shkroi edhe “Wear Hijab” (Vish hixhab).
Davitt gjithashtu shpërndau një video ku këndon ezanin në stilin e vet.
Sinead O’Connor në vitet 1990-ta kishte pranuar katolicizmin dhe ndryshoi emrin në Magda Davitt.