Gjykata Penale ka caktuar masën e paraburgimit 30 ditor për 9 të dyshuar, për 5 të tjerë masa e arrestit shtëpiak, ndërsa për nëntë të dyshuar të tjerë ka caktuar masën e detyrimit për tu paraqitur në gjykatë dhe u janë marrë dokumentet e udhëtimit. Ndërsa një i dyshuar tjetër vazhdon ende të jetë i pa kapshëm për organet e rendit. Në hetimin e prokurorisë janë përfshirë 49 persona, në mesin e të cilëve pacientë, mjekë amë, specialistë, avokatë e zyrtarë të institucioneve shëndetësore nga Shkupi, Velesi, Tetova, Gostivari dhe disa qytete të tjera. Gjatë aksionit policorë dy ditë më parë janë sekuestruar 110 mijë euro, 65 mijë denarë, telefona celularë, fletore ku ka të dhëna për borxhlinj, dokumente të ndryshme mjekësore dhe faksimile.
Që të gjithë dyshohen për keqpërdorime në lidhje me procedurat për dhënie të ndihmës financiare për kujdes ndaj tjetrit, por dhe pensionit invalidor. Hetimi i organit të akuzës është i koncentruar te personeli mjekësorë që ka dhënë raporte shëndetësore të rrejshme në këmbim të ryshfetit, të cilët më pas janë shfrytëzuar si dëshmi para komisioneve përkatëse për të realizuar të drejtat që ligjërisht nuk u takojnë.
“Të dyshuarit kanë ndërmarrë veprime të kundërligjshme, kanë përgatitur, siguruar dhe përdorur dokumentacion mjekësor si udhëzime mjekësore, fletëlëshime, raporte mjekësore, kontrolle, teste psikologjike, mendime konsiliare, vërtetime për pajisje mjekësore me dokument të pavërtetë”, njoftojnë nga Prokuroria kundër Krimit të Organizuar.
Për ryshfet, mjekët kanë dhënë raporte të rrejshme shëndetësore për pacientët.
Sipas informatave të Alsat prokurorët nga Fondi Pensional kanë mbledhur të dhëna mjekë të komisionit për pension invalidor që kanë qenë të angazhuar gjatë vitit 2023, por edhe për 13 persona që kanë qenë në procedurë për dalje në pension. Prej tyre, vetëm njëri ka arritur që të marrë vendim të plotfuqishëm për pensionim invalidor, ndërsa të tjerët kanë qenë në procedurë. Nga Fondi Pensional, theksojnë se tani për tani komisioni për pension invalidor funksionon normalisht dhe nuk ka të përfshirë në hetim nga përbërja aktuale. Se sa është dëmi ndaj buxhetit, nga Fondi Pensional theksojnë se nuk mund ta dinë pasi këtë duhet ta konstatojë organi i akuzës.
Nga Ministria e Punës Sociale e Demografisë dhe Rinisë, në kuadër të të cilës jepen ndihma financiare për kujdes ndaj personit të sëmurë, nuk kthyen përgjigje ndaj pyetjeve të Alsat se cili është impakti financiar ndaj buxhetit. /Alsat.mk