Kërcënimet e bombave, shkollat të përgatitura për mësim online

Kërcënime të rreme për vendosje të bombave sërish zbrazën 18 shkolla në Shkup dhe një në Prilep. Kuadri mësimor dhe nxënësit u evakuuan, ndërsa nga MPB konstatuan sërish se të gjitha kërcënimet për vendosje të bombave rezultuan të rreme.

Marketing

“Menjëherë pas marrjes së kërcënimeve nga zyrtarët u realizua kontrolli nga njësiti antiterror dhe u konstatua se bëhet fjalë për kërcënime të rreme.”, thonë nga MPB.

TVM 2 qëndroi në Sh.F. “Vasill Gllavinov’ nga ku mësuam se do të respektohen rekomandimet e MAShIT për vijimin e mësimit online, në ditët kur do të ketë kërcënime për vendosje të bombave.

“Pasi që ne i marrim masat e duhura, bëhet evakuimi i nxënësve dhe mësimdhënësve, neve respektojmë rekomandimin e MASh-it që të vazhdojë mësimi nga distanca online, për të mos humbur fëmijët dhe jemi të përgatitur për mësim nga distanca me platformën mikrosoft tims.”, – deklaroi drejtoresha në Sh.F. “Vasill Gllavinov”, Elita Demiri.

Por, nxënësit dhe prindërit sërish shprehen të shqetësuar duke potencuar se po humbet shumë nga procesi mësimor dhe se varianti online nuk tregon rezultate të duhura.

“Un frikohem, se mësuesja ne tregoi që ka bombë dhe vrapuam.”, – tha një nxënës.

“Jemi shqetësuar shumë, mësuesja na tregoi dhe filluam të qajmë dhe menjëherë dolëm jashtë shkollës.”, – u shpreh një nxënës tjetër.

“Normal se jemi të shqetësuar, për fëmijë bëhet fjalë, nuk e përkrahim mësimin online se fëmijët dy vjet i kanë humbur, besoj se do të gjejë ndonjë mënyrë shteti të mos humbet mësimi të mësojnë fëmijët.”, – theksoi një prind.

“Fëmijët sapo i dërgojmë menjëherë po traumatizohen si të shkojnë për shkak të bombave se fëmija nuk e kupton çka është bomba, thjesht kur e shohin alarmin traumatizohen.”, – u shpreh një prind tjetër.

Sipas SAShK- ut, mësimi online nuk krahasohet me mësimin me prani fizike , por sërisht është variantë më i mirë sesa humbja e orëve.

“Nuk do të ishte mirë të themi vetëm formalisht se orët mësimore po realizohen , ndërsa realisht të jenë me cilësi shumë të dobët. Kjo nuk do të ishte mirë as për nxënësit dhe as për arsimtarët, sepse duhet pasur planifikim paralel të orëve, nëse mësimi vijon me prani fizike apo parapërgaditje për mësim.”, – deklaroi Jakim Nedellkov nga SAShK-u.

Deri më tani të gjitha kërcënimet për vendosje të bombave kanë rezultuar të rreme.