Kërcënime të reja për mjete eksplozive sot ka pasur në katër shkolla të mesme në Shkup. Mësimi është ndërprerë, ndërsa nxënësit janë evakuuar, pa mos u gjetur bomba. Kjo është luftë hibride, ka deklaruar Kryeministri Dimitar Kovaçevski, duke shtuar se në periudhë të luftës në kontinent, Ballkani është cak i sulmeve të hakerëve.
Në dy shkolla të mesme në Shkup sot paradite mësimi u ndërpre menjëherë pas arritjes së e-mailit për bombë të vendosur në orën 9 e 30 minuta, ndërsa vetëm gjysmë ore më vonë mesazh i ngjajshëm i ndërpreu orët e mësimit edhe në dy shkolla tjera të mesme.
“Menjëherë pas denoncimeve që kemi marrë, nga zyrtarët e policisë janë ndërmarrë masa për evakuimin e sigurtë të të gjitha katër shkollave. Vazhdojnë kontrollet antiterror dhe ndërmirren masa për zbardhjen e rastit” – thonë nga MPB.
Ky është informacioni i zakonshëm nga policia, të cilin prindërit e nxënësve e dëgjojnë tashmë dy javë, periudhë në të cilën ndodhën dhjetëra alarme të rrejshme për eksploziv të vendosur në shkolla, që ka shkaktuar shqetësim serioz në mesin e banorëve të kryeqytetit. Bëhet fjalë për luftë hibride, sqaroi sot në mëngjes Kryeministri.
“E shihni se gjithë rajoni jonë është nën kërcënimin e sulmeve hibride. Të gjithë jemi të vetëdijshëm çfarë ndodh. Në qoftë se më parë në territorin e gjithë Evropës janë bërë luftëra me armë, tani në një pjesë të territorit të Evropës zhvillohet luftë me armë, sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës, por në pjesët tjera zhvillohet luftë hibride, duke shkaktuar shqetësime” – tha Kovaçevski.
Para një jave u arrestua një person që lidhet me alarmet e rrejshme, por pas disa orëve një djalë 23 vjeçar emri i të cilit ka qëndruar në e-mailet e dërguara, pas një nate të kaluar në stacionin policor dhe pas verifikimeve në shtëpinë e tij, i njëjti është lënë i lirë.