Kërcënimet për bomba në shkolla,MASh kërkon zgjidhje për vijimin e mësimit

Pre e kërcënimeve të rreme edhe sot ishin 30 shkolla në Shkup. Pesëmbëdhjetë minuta pas ardhjes në shkollë, nxënësit dhe mësuesit duhej të ktheheshin. Disa për të ligjëruar, të tjerët për të ndjekur mësimin online. Gjimnazistët me të cilët biseduam janë të indinjuar nga kërcënimet e rreme për bomba, që vazhdojnë me muaj. Thonë se kanë humbur shumë mësime dhe në shtëpi nuk munden ta përvetësojnë mirë materialin.

Marketing

“Humbëm shumë në lëndët kyçe siç janë matematika, maqedonishtja, anglishtja që janë më të rëndësishme.”, – tha një nxënës.

“Në shtëpi nuk dëgjojmë aq shumë, por kur kemi në orët me prani fizike kemi komunikim me mësuesit dhe kjo variant është më e mirë.”, – u shpreh një nxënës.

Ministri Shaqiri është ende duke u menduar nëse mësimi duhet të transferohet tërësisht online, por thotë se një vendim i tillë do të merret pasi Qeveria të analizojë problemet që kanë dalë nga modeli i kombinuar. Ai pranon se një numër shkollash kishin probleme për të hyrë në platformë, por kjo u tejkalua shpejt. Shaqiri bëri të ditur se në bashkëpunim me MPB-në do të ketë udhëzime të reja për shkollat.

“Së shpejti do të sjellim edhe udhëzime tjera që të shohim pasojat të mos ketë procesi edukativo-arsimor, sepse edhe komunikim elektronik e them nuk është domosdoshmëri e kohës po nuk është i obligueshëm në këtë kohë. Ne mund të sjellim edhe vendim që komunikimi elektronik të mos jetë gjatë orarit të punës, por nga aspekti i sigurisë këto udhëzime sugjerime që mund t’i sjell nga aspekti edukativo-arsimor duhet të kenë konfirmim edhe nga MPB dhe të gjitha organet tjera që garantojnë sigurinë.”, – deklaroi ministri i arsimit, Jeton Shaqiri.

Sa i përket provimit të maturës, Shaqiri pohon se Qendra Shtetërore e Provimeve po merr të gjitha masat që të mos ketë vonesa në dhënien e provimit, për të cilin është formuar grupi punues.