Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi në takimin e radhës elektoral që ishte në Lezhë është shprehur se 25 prilli nuk do t’i thotë Ramës ik, por fenomenit të diskriminimit të shqiptarëve, duke e larguar atë njëherë e përgjithmonë.
Kryemadhi thotë se me qeverisjen e Ramës kërcënohen familjet më rindërtimin dhe seleksionohen sipas bindjeve politike.
Kryemadhi: Ditë më të bukur se mund të ishte kjo e sotmja, edhe me skenarist ta kishim bërë, do të ishte e pamundur. Por megjithatë, bukuria e gjithë ditëve tona që do të vijnë, do të jetë pas 25 prillit, kur të gjithë ne së bashku do t’i drejtohemi kutive të votimit, jo për t’i thënë Ramës ik, por për të kthyer djemtë dhe vajzat tona që kanë ikur nga Shqipëria. Sepse duam që të jetojnë të lumtur në qytetet e tyre, në vendin e tyre, për të kthyer djemtë dhe vajzat e shqiptarëve, sepse u është hequr e drejta e punësimit. Sepse bizneset mbyllen, taksat rriten, çmimi i energjisë elektrike rritet çdo ditë e më shumë, taksat për bizneset shqiptare rriten çdo ditë e më shumë. Kërcënohen familjet më rindërtimin dhe seleksionohen sipas bindjeve politike.
Prandaj 25 prilli nuk do t’i thotë Ramës ik, por do t’i thotë fenomenit të diskriminimit të shqiptarëve ik dhe të largohet njëherë e përgjithmonë. Dhe për t’i dhënë më 25 prill tranzicionit fund gjithmonë në historinë dhe jetën e shqiptarëve. Sepse më 25 prill vota juaj për numrin 6, vota për LSI-në, do të jetë votë për fëmijët, për të rinjtë, për të rejat, për të ardhmen e Shqipërisë. Sepse duke votuar LSI-në ne kemi votuar për të ardhmen europiane të të rinjve dhe të rejave shqiptarë.