Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, i informoi drejtuesit e policisë publike dhe sekrete se grupe pranë oficerit të arrestuar të Agjencisë Kombëtare të Sigurisë Petar Lazoviç, dhe të atit të tij, Zoran, gjithashtu ish zyrtar i lartë policie, po e shenjestrojnë dhe janë duke planifikuar hakmarrjen për prangosjen e tij.
Abazoviç njoftoi Ministrin e Punëve të Brendshme Filip Axhiç, drejtorin e Administratës së Policisë Zoran Brđanin dhe drejtorin e ANB Sava Kentera për informacionet që po merr, thotë Vijesti. Sipas gazetës, kryeministri ka kërkuar të mblidhen të dhëna për këtë cështje.
“Oficeri i arrestuar, Petar Lazović ka një problem me ligjin. Shpresoj që kjo të jetë e qartë për këdo që dëshiron që unë dhe bashkëpunëtorët e mi të vazhdojmë të ndjekim misionin tonë të krijimit të shtetit ligjor, nga i cili nuk do të heq dorë asnjë milimetër, pavarësisht kërcënimeve, tone ekstremiste dhe gjuhës së urrejtjes. Përkundrazi, përpjekjet për sabotim, janë të kota. E di që kjo shkakton zhgënjim tek shumë njerëz, por ne kemi treguar se Mali i Zi po ecën në rrugën e lirisë dhe nuk ka vend për kartelet e drogës, kontrabandistët e cigareve apo elitat e korruptuara”, tha Abazovic duke shtuar se “grupet e afërta me Lazoviçin po përpiqen të krijojnë një atmosferë në të cilën nga pozita e kryeministrit, unë po u bëj gjoja presion prokurorëve që ta ndjekin penalisht Lazoviçin dhe grupin kriminal të biznesit rreth tyre,”.
Në fillim të shkurtit të vitit të kaluar, Europol dhe Eurojust arritën të hakojnë komunikimin përmes aplikacionit të koduar Sky EÇ.
Muajin pasues, autoritetet gjyqësore dhe ato ligjzbatuese në Belgjikë, Francë dhe Holandë monitoruan korrespondencën e kriminelëve në të gjithë Evropën, duke rezultuar në mbledhjen e informacionit kyç për më shumë se njëqind operacione kriminale të planifikuara në shkallë të gjerë.
Pak kohë më vonë, Europoli i dorëzoi Prokurorisë Speciale të Shtetit (SDT) malazez transkriptet e mesazheve të shkëmbyera përmes atij aplikacioni, me shpjegimin se policët Petar Lazoviç dhe Ljubo Milović korrespondonin dhe bashkëpunonin me drejtuesit dhe anëtarë të klanit kriminal “Kavaç”.