Kërcënohet me jetë nënkryetari i larguar nga VMRO, Jançev

Vazhdojnë përçarjet dhe kërcënimet brendapartiake në VMRO-DPMNE. Nga partia opozitare është larguar kryetari i forcave të rinisë Lluka Kërzhallovski. Ai në letrën e lamtumirës ka shkruar se VMRO-DPMNE-ja është preokupuar nga politikat ditore dhe nga interesa të personave të caktuar.

Marketing

Ndërkaq të larguarit paraprak nga partia e Mickoskit, në mënyrë të vazhdueshme marrin kërcënime për jetë. Kështu së paku tha mbrëmë nënkryetari i shkarkuar e VMRO-së opozitare Mitko Jançev, i cili për arsye sigurie nuk e lëshon dot as shtëpinë.

Gjatë muajit të fundit në mënyrë konstante marrim kërcënime nëpërmjet Facebook-ut dhe SMS. Megjithatë, morëm kërcënime edhe nëpërmjet telefonit të gruas time, edhe ajo ishte arsyeja që sonte nuk dua të largohem nga shtëpia. Rastin e kam paraqitur edhe në polici. Për këtë gjë kam biseduar edhe me Mickoskin, ai më thotë se kjo gjë nuk vjen nga ai apo nga partia e VMRO-DPMNE-së”- u shpreh Mitko Jançev , nënkryetari i shkarkuar i VMRO-DPMNE-së.

Fat të njëjtë me bashkpartiakun ndanë edhe ish-deputetja e VMRO-së Daniella Rangellova. Ajo thotë se gjatë gjithë kohës merr kërcënime online dhe se ka shtypje nga udhëheqësja e VMRO-DPMNE-së.

Në kryesinë e VMRO-DPMNE-së ka disa njerëz që bëjnë shtypje serioze ndaj anëtarëve dhe funksionarëve të partisë. VMRO-DPMNE-ja është parti demokrate dhe anëtarët e saj por e dhe funksionarët kanë të drejtën e mendimit personal”- theksoi Daniella Rangellova, ish-deputet e VMRO-DPMNE-së.

Nga Ministria e Punëve të Brendshme thonë se janë të informuar për të gjithë rastet dhe kërcënimet dhe se po i marrin masa e duhura për të parandaluar çdo rrezik të mundshëm. Deri tani, MPB-ja ka ndaluar 4 persona për kërcënime online ndaj deputetëve.

MPB-ja veç më ka marrë masa për garantimin e sigurisë së deputetëve por edhe të të gjithë qytetarëve. Këtë e kemi thënë edhe më herët, se po merren të gjitha masat për t’u garantuar siguria e tyre. Konkretisht për personin që e përmendët, gjithashtu janë paraljmëruar kërcënime në MPB dhe ne në pajtim me rregulloren, kemi bërë vlerësim të sigurisë dhe po marrim masat e duhura për të evituar çdo gjë të mundur”- tha Toni Angelovsk, zëdhënës i MPB-së.

Ditët e fundit janë karakterizuar me largime, shkarkime dhe dorëheqje në VMRO-në opozitare. Ditë më parë, së bashku me Daniella Rangellovën, është larguar edhe sekretarja Liljana Zaturovska dhe nënkryetarja Liljana Kuzmanovska. Paraprakisht janë shkarkuar anëtarë të Komitetit Ekzekutiv dhe 8 deputetët që votuan për hapjen e Kushtetutës.

Marketing