Kërçovë, mbahet me sukses “Dasma tradicionale shqiptare”

Në oborrin e dy shtëpive të vjetra në fshatin Greshnicë të Kërçovës, u mbajt edicioni i gjashtë i manifestimit “Dasma tradicionale e shqiptarëve të Kërçovës”. Duke respektuar masat preventive në kushtet e pandemisë globale, Shoqata “Fortesa” edhe sivjet, në ambiente autentike, shpalosi traditat e moçme të organizimit të dasmës kërçovare, si një pasuri shumë e çmueshme kombëtare, e cila kohët e fundit është zbehur dukshëm nga trendet e zhvillimit modern. Me këtë rast u prezantuan këngët e melosit burimor dhe vallet popullore, kostumografia e rrethit të Kërçovës dhe gatimet tradicionale të kësaj ane, që janë pjesë e ritualeve të dasmës kërçovare. Përmes këngëve të melosit burimor dhe këngëve lirike të grave, jepen mesazhe për nusen e dhëndrin, për krushqit dhe të afërmit e nuses dhe të dhëndrit.
Ky projekt i Shoqatës “Fortesa”, që ngërthen vlerat e trashëgimisë tonë kulturore, është financuar nga Ministria e Kulturës dhe komuna e Kërçovës.
Marketing