Kërkesa e Kacarskës për gjykatësit, përgjigjet Xhaferi

Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi i është përgjigjur kryetares së Gjykatës Kushtetuese, Dobrilla Kacarska e cila gjatë ditës, nëpërmjet një letre kërkoi nga i njëjti që të përdor autoritetin e tij dhe të zgjedhë gjykatësit kushtetues, pasi ka mungesë të tyre.

Marketing

Xhaferi ka sqaruar se problemi qëndron në Komisionin amë – atë për zgjedhje dhe emërime i cili për momentin përballet me obstruksione.

Meqë propozimet ende nuk mund të marrin dritë jeshile nga ky Komision, të njëjtat nuk mund të kalojnë në seancë plenare për miratim.

“Ju informojmë se Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, e pranoi letrën nga kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Dobrilla Kacarska, në lidhje me problemet në punën e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Kuvendi, në përputhje me kompetencat e veta është i informuar për skadimin e afatit të gjykatësve kushtetues, respektivisht Kuvendi, me propozim të Komisionit të Zgjedhjeve dhe Emërimeve zgjedh gjykatës kushtetues nga radhët e juristëve të dalluar në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Duke e pasur parasysh se bëhet opstrukcion në punën e Komisionit të Zgjedhjeve dhe Emërimeve (nëpërmjet bishtnimit të procedurës dhe zbatimit të metodave të cilat Kryetari i Kuvendit i ka sqaruar para opinionit), propozimet e anëtarëve të Komisionit nuk mund të fitojnë dritë jeshile që të njëjtat të mund të shqyrtohen në seancë plenare të Kuvendit dhe për momentin Kuvendi nuk mund të zgjedhë gjykatës kushtetues dhe të mundësojë funksionimin e papenguar të Gjykatës Kushtetuese”, qëndron në njoftimin e Kabinetit të Xhaferit.