Kërkesat e Sindikatës së Zjarrfikësve, Arifi: Plotësojmë kërkesat në kompetencat tona

Komuna e Tetovës ka pranuar të gjitha kërkesat e Sindikatës së Zjarrfikësve që janë në kompetencë të saj.

Marketing

Kryetarja e Tetovës, Teuta Arifi, u ka sqaruar përfaqësuesve të Sindikatës gjatë takimit të mbajtur se furnizimi me makineri shtesë dhe mjete të punës janë kërkesat që i duhen adresuar qeverisë dhe Drejtorisë për menaxhim me kriza. Arifi përkujtoi se decentralizimi nuk do të thotë vetëm tua shtosh kompetencat komunave, por edhe t’u sigurosh mjete financiare që të përballen si duhet me obligimet shtesë.

“Pjesa që ka të bëjë me sigurimin në punë, që ka të bëjë me kontrollet shëndetësore, ajo është e pranuar në mënyrë të plotë nga komuna e Tetovës. Çështja e mjeteve të punës, të cilat sipas ligjit të Njësive kundër zjarrit, është obligim i Drejtorisë për kriza dhe kërkojmë që Drejtori për kriza i RMV-së, në shpërndarjen e punës, mjeteve të Njësive kundër zjarrit, të ndjek parimin e zhvillimit të barabartë rajonal. Çështja tjetër ne mendojmë se është një problem, por është problem i gjithë shtetit jo vetëm i yni që punëtorët e Njësisë së zjarrit me bllok dotacionet një pjesë janë të mbuluar nga ana e Ministrisë së Mbrojtjes, sipas ligjit të ri dhe fatkeqësia është që nga 60 të punësuar në NJTKZ – Tetovë, vetëm 20 janë të mbuluar me bllok dotacione, kërkojmë që qeveria, do të drejtohemi edhe zyrtarisht tek ata, që në mënyrë serioze të shikojnë mbulimin e plotë të këtyre të punësuarve me bllok-dotacione”,- tha kryetarja e komunës së Tetovës, Teuta Arifi.

“Kërkuam të bëhen kontrolle të rregullta mjekësore dhe gjetëm gjuhë të përbashkët, si dhe sigurimin kolektiv për të cilin po ashtu u pajtuam. U pajtuam edhe për shtimin e zjarrfikësve sipas Ligjit për zjarrfikës, në bazë të numrit të banorëve që jetojnë në Tetovë e rrethinë dhe rroga bazë e zjarrfikësve të rritet për 20 për qind”,- tha Goran Ristevski nga Sindikata e Pavarur e Zjarrfikësve.

Komuna e Tetovës arriti që të ketë një marrëveshje ndërmjetësimi edhe për mbylljen e proceseve gjyqësore që kanë punëtorët e NJTKZ-së për sa i përket dallimeve në pagesa dhe e njëjta të ketë zgjidhje jashtë sallës së gjyqit.