Gjykata Themelore Shkupi 1 njoftoi se kërkesat e dorëzuara deri tek gjykata për amnisti të të pandehurve për dhunën në Kuvendin e Maqedonisë më 27 prill të vitit kaluar, janë dërguar për mendim tek prokuroria kompetente.
“Pas marrjes së mendimit gjykata në afatin e paraparë me ligj do të sjell vendime të cilat do t’u dorëzohen palëve, ndërsa opinioni do të informohet me kohë”, shkruan në kumtesën e Gjykatës Penale.
Deri në afatin e fundit janë dorëzuar 64 kërkesa për amnisti. Në ngjarjet e 27 prillit janë përfshirë 70 persona, ndërsa gjithsej 33 janë akuzuar në procesin gjyqësor nga të cilët 31 persona për kërcënim terrorist ndaj rendit kushtetues të shtetit dhe dy për inkurajim.
Ligji për amnisti u votua më 18 dhjetor të këtij viti në Kuvendin e Maqedonisë me 95 vota “për”. Në përputhje me ligjin, amnistia i përfshinë organizatorët dhe përgatitësit e ngjarjeve, personat që kanë kryer dhunë fizike, që kanë mbajtur armë dhe mjete shpërthyese, si dhe zyrtarët që i kanë tejkaluar autorizimet zyrtare. Nga amnistia përjashtohen edhe personat të cilët akuzohen për bashkëpunim për veprimtari armiqësore në pajtim me nenin 324 të Kodit Penal.