Kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit, protesta të dhunshme në Bangladesh! Viktima dhe të plagosur

Të paktën dy persona janë vrarë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën në përleshjet e zhvilluara në Bangladesh, midis protestuesve antiqeveritarë dhe forcave të sigurisë.

Marketing

Dhuna shpërtheu në kryeqytetin Dhaka gjatë protestave që kërkonin dorëheqjen e kryeministrit Sheikh Hasina përpara zgjedhjeve të janarit.

50 persona u plagosën, duke përfshirë rreth 15 oficerë policie.

Policia deklaroi se të vrarët i përkisnin Partisë Nacionaliste të Bangladeshit (BNP) opozitare, por nuk dha detaje. I vetmi detaj sipas BBC është se ata u qëlluan për vdekje nga policia. Njëri prej viktimave humbi jetën në vend, ndërsa personi tjetër ndërroi jetën në spital.

Ndërkohë protestat e kësaj të marte janë vazhdimësi e tubimeve të mëparshme. Gjatë së shtunës policia shkatërroi një protestë masive, ku po ashtu mbeti viktimë një oficer policie dhe më shumë se 100 persona u plagosën.

Policia e Dhakës njoftoi se të paktën 1,480 aktivistë të opozitës janë arrestuar dhe akuzuar për dhunë që nga 21 tetori.

Zyra e Komisionerit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut tha se ishte thellësisht e shqetësuar nga trazirat dhe u bëri thirrje të gjithë aktorëve politikë të bëjnë të qartë se një dhunë e tillë është e papranueshme.