Kërkon falje gazetari Robelli i cili e kritikoi Xherdan Shaqirin pse shkruajti “elhamdulilah”

Tani që tymi i barutit digjital është hequr dhe të gjithë mund të shohim më kthjellët, më lejoni një sqarim lidhur me një shënim timin pas ndeshjes grandioze Zvicër : Serbi. Qëllimi im nuk ka qenë në asnjë mënyrë të lëndojë asnjë ndjenjë fetare të askujt. Kam menduar se përdorimi i fjalëve arabe me konotacion fetar nga një futbollist mund t’i shkaktojë dëm të madh vetë lojtarit, sepse mund t’i hidhen në qafë mediat e djathta dhe shpesh edhe raciste në Zvicër dhe kudo në Europën perëndimore. Para ndeshjes një revistë e djathtë e Zürichut botoi një tekst, ku lojtarët i quajti “mercenarë të Ballkanit”. Teksti përmban nuanca raciste. Kur mediat serbe e quajtën Xherdan Shaqirin “përkrahës së ISIS-it”, unë isha i pari që e mbrojta.

Marketing

Është shumë e qartë që duke dashur ta mbrojë lojtarin edhe para një pjese bukur agresive të opinionit zviceran, unë nuk i zgjodha fjalët e duhura. Për këtë shpreh keqardhje dhe kërkoj falje! Natyrisht kjo kërkimfalje vlen për njerëz të arsyeshëm, të cilët kanë mundur ta keqkuptojnë mesazhin tim, i cili – e përsëris – përmbante fjalë të padenja.

Të tjerëve, sharlatanëve, huliganëve digjitalë dhe ekzibicionistëve të tjerë publikë, të cilët duke më kërcënuar, sharë e fyer dhe duke u përpjekur të më ngjesin etiketën e “islamofobit”, ju them: jeni për keqardhje. Siç janë edhe protalet gjoja fetare dhe turbonacionaliste, të cilat si në kohë kryqëzatash përpiqen të linçojnë njerëz. Të gjithë këtyre ju them: kur të raportoni ju pesë ditë nga balta e shiu mbi mjerimin e refugjatëve (shumica myslimanë) nga Siria, siç kam bërë unë në vitin 2015 nga kufiri Greqi-Maqedoni, atëherë mund të kyçeni në këto debate të ngarkuara me emocione. Kur të bartni një familje siriane nga Greqia në Preshevë me veturë private, siç kam bërë unë me një koleg zviceran, atëherë keni të drejtë morale të flisni. Kur t’i lexoni shkrimet e mia, ku kam shkruar disa herë edhe kundër bërjes se kryqit në fusha sportive, kur kam shkruar mbi skandalet e tmerrshme në Kishën Katolike, kur të lexoni shkrimet e mia, ku jam përpjekur të qetësojë opinionin, duke thënë se kritika ndaj mënyrës se si qeverisë dikush në Turqi të mos shndërrohet në racizëm ndaj turqve dhe Turqisë, e cila ka bërë aq shumë për konsolidimin e shtetësisë së Kosovës, atëherë kyçuni në debat.

Qëllimi i urrejtësve nuk është debati, qëllimi ishte huliganizmi gjuhësor dhe kërcënimet më të pështira, të cilat tregojnë se disa segmente të shoqërisë kanë probleme të mëdha. Shumica e atyre që bëjnë analiza nga distanca ose duke e njohur Zvicrën nga rrëfimet e ndonjë kushëriri, dua t’ju them se imazhi i disa lojtarëve shqiptarë këtu është i keq. Ata gjenden mes dy fronteve: çdo gjest i tyre patriotik shqiptar këtu interpretohet si mungesë lojaliteti ndaj Zvicrës. Ndërsa kur ata refuzojnë të luajnë për Kosovën apo Shqipërinë, quhen tradhtarë ose “Valon magjupi” nga bashkëkombësit. Kundër këtyre fyerjeve e kam mbrojtur këtë lojtar. Siç e kam mbrojtur gjatë fundjavës edhe bërjen e shqiponjës dhe komenti im i botuar në një gazetë të rëndësishme zvicerane ka pasur jehonë të madhe dhe pozitive.
Mos harroni se këtu ka media që bërjen e shqiponjes e krahasojnë me “përshëndetjen e Hitlerit”. Mund të merret me mend se çfarë situate iracionale mund të krijohet nëse një lojtari i ngjiten edhe etiketa islamiste. Unë nuk kam problem me asnjë fjalë që shqipja e ka integruar nga gjuhë të tjera, madje kush lexon shkrimet e mia e di se shpesh më pëlqen të përdorë fjalë popullore që kanë zanafillë osmane. Por, kështu nuk rezonon opinioni zviceran, mund edhe të keqkuptojë një fjalë të ndonjë lojtari dhe ta përdorë për fushata demagogjike. Sepse nuk janë të gjithë zviceranët ekspertë të botës sonë ilire, ku me komoditet të paparë presim që të vërtetat tona bota t’i pranojë ashtu siç janë dhe pa u munduar t’i shpjegojmë, siç po përpiqem unë duke shpjeguar gjestin e shqiponjës.

Shpresoj se ky shpjegim mjafton, çdokush që ka ndonjë pyetje, lirisht të më shkruajë. Ata që fyejnë, me keqardhje do t’i largojë nga profili im. Nuk jam as “islamofob”, as “katolik”, as “jahudi”, siç më terrorizonin disa njerëz këto ditë. Por, jam shumë i lumtur dhe në paqe me ndërgjegjen time që nuk jam si disa prej jush, që krejt kuptimi i jetës suaj është të merreni me sharje, shpifje e krime të tjera kibernetike me qëllim që të dilni nga anonimiteti juaj. Ata që e njohin punën time, ata që më njohin mua, ata që lexojnë pa paragjykime – ata e dinë për çfarë vlerash luftojë dhe me çfarë stoicizmi i kam qëndruar çdo përpjekjeje të çdo pushteti për të më blerë me poste, para, favore. Nëse për diçka dua të mbahem mend, atëherë është qëndrimi im i pakompromis ndaj çdo fenomeni negativ shoqëror. Por, secili prej jush jeni të lirë të keni idhujt tuaj, unë nuk shkruaj për duartrokitje, por për vetëdijesim shoqëror. Si deri më tani – këtë betejë për vlera perëndimore do ta vazhdojë. Tani të koncentrohemi në sfidat e radhës – qofshin ato futbollistike dhe të tjera, më të rëndësishme.

Miqësisht,
Enver Robelli

Marketing