Këshilli gjyqësor, drejt shkarkimit kolektiv?!

Kryeministri Dimitar Kovaçevski vlerëson në Këshillin Gjyqësor duhet bërë “remont” në kuptimin e ndryshimit të funksionimit dhe përbërjes. Sipas tij kjo është nevojë e dëshmuar dhe e bazuar në të gjitha analizat dhe raportet ndërkombëtare. I pari i Qeverisë thotë se brenda këtij trupi duhet lokalizuar përgjegjësia individuale.

Marketing

“Konsideroj se duhet bëhet një “remont” i disa institucioneve, proceseve dhe ligjeve sepse këtë e dëshmojnë të gjitha analizat por edhe deklaratat e diplomatëve të huaj”, deklaroi Dimitar Kovaçevski – Kryeministër.

Por opozita këmbëngul në dorëheqjen kolektive. Sipas VMRO-DPMNE-së, Këshilli Gjyqësor duhet shkarkuar mbi dyshimet se ka qenë dhe mbetet në shërbim të Qeverisë.

“Së pari kërkojmë të hapet pika për informacion mbi gjendjen Këshillin Gjyqësor që në seancën e ardhshme, dorëheqje kolektive e Këshillit dhe më pas përgjegjësi edhe të Qeverisë. Këto janë problemet reale të cilat e tangojnë shtetin”, Dafina Stojanovska, Deputet e VMRO-DPMNE-së.

Ministri i Drejtësisë Krenar Lloga tha se po shqyrton mundësinë që përmes zgjidhjes ligjore të pushohet mandati i Këshillit Gjyqësor. Muajt e fundit Këshilli ishte në fokus për shkak të zhvillimeve që erdhën si pasojë e mosmarrëveshjes së disa anëtarëve brenda trupit. Në mënyrë jo ligjore u shkarkuar kryetarja e këtij trupi, por vendimi më pas u tërhoq, ndërsa javë më parë dy anëtarë dhanë dorëheqje. Zgjedhja e anëtarëve të tij pritet në mesin e muajit korrik, por në rrethana jo zyrtare flitet se mund të ketë edhe dorëheqje të reja. /alsat.mk