Ka dështuar tentimi i dytë për zgjedhjen e kryetarit të ri të Këshillit Gjyqësor. Tani për tani, nuk dihet se kur dhe kush do ta zëvendësojë Damevën. TVM-2 tentoi të kontaktojë më zëvendëskryetarin e Këshillit Gjyqësor, Selim Ademi, por i njëjti ishte i pakapshëm për t’u prononcuar.
Fillimisht pritej se pasardhësi i Damevës do të zgjidhet menjëherë pas shkarkimit të saj, por nënkryetari i Këshillit, Selim Ademi, kërkoi që përzgjedhja të shtyhej për disa ditë në pritje të përbërjes së plotë të Këshillit. Ndryshe nga hera e parë, kësaj radhe nuk pati asnjë tentativë për fillimin e seancës dhe as votim për ta ricaktuar atë për datë të re.
“Këshilli Gjyqësor i Republikës së Maqedonisë së Veriut njofton se seanca urgjente e 439-të që u caktua për më datë 02.05.2023 në ora 11, anulohet. Për ditën dhe orën e mbajtjes së seancës do të kumtohet në mënyrë plotësuese.”, thuhet në njoftimin e Këshillit Gjyqësor.
Përndryshe, më 26 prill u shkarkua nga funksioni kryetarja e Këshillit Gjyqësor, Vesna Dameva. Shtatë anëtarë, së bashku me nënkryetarin Selim Ademi votuan pro shkarkimit të Damevës. Akti, shkaktoi reagimin e presidentit, Stevo Pendarovski, Ministrisë së Drejtësisë, deputetëve, Komisioni Anti-korrupsion si dhe përfaqësive diplomatike dhe ekspertëve juridikë. Pikënisja e tensionit ishte letra e ambasadores së ShBA-ve Aggeler dhe kritikat drejtuar gjyqësorit. Sipas anketave të fundit vetëm 4 për qind e qytetarëve i besojnë plotësisht gjyqësorit.