Këshilli i Prokurorëve shkarkoi Katica Janevën

Pas rishikimit të propozimit të Kuvendit, Këshilli i Prokurorëve njëzëri ka vendosur që Katica Janeva të shkarkohet nga funksioni i prokurores speciale publike për shkak të sjelljes joprofesionale dhe të pandërgjegjshme.

Marketing

Kryetari i Këshillit të Prokurorëve Publikë, Aco Kolevski tha se vendimi hyn në fuqi nga dita e sotme. Kolevski theksoi se nuk mundet të emërohet ushtrues detyre shef i Prokurorisë Speciale Publike pasi sipas Ligjit për PSP-në propozimi për emërim bëhet nga Kuvendi. Ai mes tjerash tha se për shkak se sot është ditë jopune, Këshilli do të vazhdon seancën nga dita e hënë ku edhe do të diskutohet për rregullimin e statusit të prokurorëve të tjerë në Prokurorinë Speciale Publike.

“Në seancën e sotme, Këshilli i Prokurorëve Publikë njëzëri vendosi të shkarkojë Katica Janeva si Prokurore Speciale për sjellje joprofesionale, të paligjshme dhe joetike”- tha Aco Kolevski, kryetar i Këshillit të Prokurorëve Publikë.
Procesi për shkarkimin e Janevës filloi më 5 shtator, kur Komisioni për Zgjedhje dhe Emërime me dyer të mbyllura për publikun, njëzëri dhe pa debat arriti në përfundimin që t’i propozoj Kuvendit shkarkimin e Janevës.

Vendimi u mor në bazë të raportit nga Këshilli i Prokurorëve Publikë. Ndërsa gjatë ditës së sotme në seancën 112-të të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut me 102 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë të përmbajtur u vendos që të shkarkohet prokurorja Katica Janeva. Menjëherë pas seancës, kreu i Kuvendit Talat Xhaferi, nënshkroi propozimin për shkarkim dhe e dorëzoi tek Këshilli i Prokurorëve, ku në seancë të jashtëzakonshme u konfirmua shkarkimi i Janevës e cila është në paraburgim pasi dyshohet në rastin “Reketi”.