Më 27 shtator fillon periudha përgatitore për procesin e inkuadrimit të Maqedonisë në BE.
Zëvendëskryeministri dhe njëherit edhe shef i delegacionit të Maqedonisë për negociata me BE-në, Bujar Osmani në konferencën për shtyp sot njoftoi se do ta kryesojë delegacionin e Maqedonisë në Bruksel i cili më 27 shtator do ta fillojë skriningun për kapitullin 23 – gjyqësori dhe të drejtat fundamentale. Në delegacionin, i cili do të numërojë rreth dyzetë persona nga shumë institucione, do të jetë edhe ministrja e Drejtësisë Renata Deskoska.
Skriningu në të gjitha kapitujt duhet të rrumbullaksohet deri në qershor të vitit 2019.
Qeveria sot shpalli thirrje publike për paraqitjen e ekspertëve të jashtëm për procesin e negociatave. Qëllimi është që të bëhet baza e ekspertëve nga të gjitha sferat, tha Bojan Mariçiq, negociues i përgjithshëm teknik dhe shef i ekipit negociues, i cili theksoi se kjo nuk do të thotë përjashtim i shoqërisë civile nga procesi i negociatave.