Këto janë ambasadorët e ri në OSBE, Sofje dhe Oslo!?

Maqedonia plotëson vendet vakante të ambasadorëve në Vjenë, Oslo dhe Sofje. Sipas informatave të Alsat, tre propozimet e Ministrisë së Jashtme kanë marrë dritën jeshile, pra pajtim, nga vendet ku janë dërguar me mision diplomatik.

Marketing

Jozyrtarisht, Edmond Ademi, ish-ministër pa portofol i ngarkuar për Diasporën dhe këshilltar aktual për Punë të Jashtme i kryeministrit Dimitar Kovaçevski, po niset për në Austri si shef i misionit të OSBE-së. Ademi merr detyrën përpara kryesimit të vendit me OSBE-në në vitin 2023.

Nga ana tjetër, posti ambasadorit në Norvegji i takoi Driton Kuçit. Kuçi ishte ministër i Ekonomisë në prill të vitit 2016, si pjesë e valës së stafit të ri të propozuar nga Ali Ahmeti, pasi në mes të krizës së atëhershme politike vendosi ti tërheqë të gjithë ministrat dhe zëvendësministrat e tij.

Agneza Rusi Popovska po zhvendoset nga Brukseli në Sofje. Ajo është një diplomate karriere dhe aktualisht është Shefe e Misionit në Bashkimin Evropian. Maqedonia është pa ambasador në Bullgarinë fqinje, që nga prilli i vitit 2020, me ushtrues detyre Vladimir Kërstevski.

Për shkak të transferimit të Rusit, tashmë po hapet pozita në Bruksel. Pas përpjekjes së pasuksesshme për ta dërguar atje ish-kryetaren e Tetovës, Teuta Arifi, tani për tani nuk përmenden emra të rinj që do të ishin të pranueshëm për të përfaqësuar vendin.

Disa media raportuan se përveç Vjenës, Oslos dhe Sofjes, kandidatët për Parisin dhe Uashingtonin u përcaktuan së fundmi në një seancë të mbyllur të qeverisë.

Sipas informacioneve të pakonfirmuara, drejtori aktual i Agjencisë për Siguri Kombëtare, Viktor Dimovski ishte paraparë të nisej për në Francë, ndërsa sekretari aktual i Shtetit në MPJ, Zoran Popov, ishte planifikuar të shkojë për në SHBA.

Deri më tani nuk ka informacione, nëse këto propozime kanë qenë të pranueshme për Parisin dhe Uashingtonin dhe nëse pritet fare pajtim për dërgimin e tyre si ambasadorë apo si në rastin e Arifit, propozimet janë tërhequr.