Këto janë arsyet e lirimit të Hysni Gucatit nga Haga

Gjykata Speciale ka bërë të ditur se Hysni Gucati, i akuzuari për veprën penale “pengim i administrimit të drejtësisë”, është liruar për vizitë për arsye humanitare.

Marketing

Një gjë të tillë për lajmi.net e kanë konfirmuar nga vetë Gjykata Speciale, duke thënë se vendimi u mor nga trupi gjykues.

“Për shkak të arsyeve bindëse humanitare, Trupi Gjykues ka udhëzuar Sekretarin që të menaxhojë një vizitë paraburgimi në Kosovë për z. Gucati për të takuar familjen e ngushtë”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Më tej, ata bënë të ditur se EULEX-i dhe Policia e Kosovës po i mbështesin Dhomat e Specializuara.

Ish-kryetari i OVL-UÇK është fotografuar nga mediat lokale në Mitrovicë i shoqëruar nga veturat zyrtare të EULEX-it, për në Spitalin e Mitrovicës.

Sipas u.d. të kryetarit të OVL-UÇK, Faton Klinakut, babai i Gucatit është në gjendje jo të mirë shëndetësore.

“Veç disa ditë më parë jam informuar se babain e ka pas sëmurë, pra ka pas sulm në tru mesa e di. Tjera informata s’kam as unë”, ka deklaruar ai për lajmi.net.

Hysni Gucati bashkë me Nasim Hardinajn ishin arrestuar më 25 shtator të vitit 2020 në Prishtinë, e të njëjtit janë transferuar në objektin e paraburgimit në kuadër të Dhomave të Specializuara të Kosovës, më 25 dhe 26 shtator të këtij viti.