Tetova, Kumanova dhe Shkupi mbeten qytetet më të ndotura në vend edhe gjatë kësaj fundjave, ndërsa stacionet e matjes së nivelit të ndotjes së ajrit po japin shifra gjithnjë e më alarmante. Gjatë ditës së sotme stacioni në Tetovë ka regjistruar deri në 108 grimca PM në 100 mikrogram, ndërsa gjatë mesditës në Kumanovë shifrat janë më të ulëta, por përsëri disa herë më shumë sesa niveli i lejuar duke shkuar deri në 89 grimca PM në 100 mikrogram.
Të dhëna alarmante janë regjistruar edhe në disa stacione të matjes së nivelit të ndotjes së ajrit në Shkup, si dhe në Manastir. Përderisa qytetarët vazhdojnë të ballafaqohen me nivelet e larta të ajrit të ndotur, partitë edhe sot kanë shkëmbyer akuza për atë se kush është fajtor për këtë gjendje. Nga VMRO-DPMNE kanë akuzuar kryeministrin Zaev, kryetarin e Shkupit Shilegov dhe zëvendës ministrin Makraduli se e vetmja punë që bëjnë është tentimi për t’i nënçmuar qytetarët dhe për t’i heshtur organizatat jo qeveritare.
“Qeveria e paaftë e LSDM-së nuk mban aspak llogari për qytetarët dhe pasojat të cilat ata i kanë nga helmet që i ngulfatin. Derisa Shkupi çdo ditë gjendet në listën e dhjetë qyteteve më të ndotura na botë, kryetari i Shkupit Petre Shilegov luan lojra në telefon celular. Kur ishin në opozitë premtuan masa urgjente për ajër më të pastër, ndërsa sapo erdhën në pushtet nuk realizuan asnjë projekt. Zgjidhjen e problemit me ndotjen nuk e kanë as në agjendë. Në vend që të merren me ndotjen, ata harxhojnë miliona për automobila luksoz, kollture dhe lubrikant. Për Zaevin dhe Shilegovin nuk është i rëndësishëm shëndeti i qytetarëve”, thonë nga VMRO-DPMNE.
Nga LSDM janë kundërpërgjigjur duke thënë se ndotja e ajrit është një problem i trashëguar nga qeverisja e VMRO-DPMNE-së dhe shtojnë se për dallim nga ajo periudhë tani si asnjëherë më parë punohet në zgjidhjen e këtij problemi.
“VMRO-DPMNE e ndoti Maqedoninë edhe me kriminalitetin e saj, politikat shkatërruese dhe të papërgjegjshme ndikuan që Shkupi të bëhet një nga qytetet më të ndotura në Evropë. Për dallim nga qasja e tille e VMRO-DPMNE-së, në Maqedoni asnjëherë s’ka pasur aksion më të fuqishëm të bashkuar për ajër të pastër. Të gjitha institucionet në nivel lokal dhe qendror me përpjekje të fuqishme e rigjallërojnë gjelbërimin e shkatërruar, i zgjedhin të gjitha brimet e ndotjes. Në rrjedhë është aksioni i vjeshtës për mbjellje të fidaneve në Qytetin e Shkupit, ku do të mbjellen rreth 3.500 fidane të cilësisë së lartë në të gjitha komunat e Shkupit”, thonë nga LSDM.
Nga partia më e madhe në pushtet thonë se fidane do të mbillen edhe në qytetet e tjera të vendit, në fshatrat rreth elektranës në Manastir, si dhe do të punohet në pastrimin e deponive, shtretërve të lumenjve dhe kanaleve të mbeturinave komunale. Gjithashtu do të subvencionohen edhe zëvendësimet e koftorëve të deritanishëm me ato ekologjik.