Këto janë sfidat që e presin drejtuesin e ri social-demokrat, Dimitar Kovaçevski

Partia më e madhe në pushtet, Lidhja Social Demokrate prej mbrëmë ka një kryetar të ri, i cili pritet të jetë dhe kryeministër i ardhshëm. Analistët, ndërkohë parashikojnë mjaft sfida dhe vështirësi në punën e krye-social-demokratit, Dimitar Kovaçevski.

Lidhja Social Demokrate në pushtet prej mbrëmë ka një kryetar të ri, i cili vjen në një periudhë krizash ekonomike, energjetike dhe shëndetsëore me të cilat po ballafaqohet vendi, teksa zoti Dimitar Kovaçevski pritet të marrë edhe drejtimin e qeverisë. Ai u bë i njohur në publik vetëm në disa javët e fundit, kur kryeministri në largim Zoran Zaev e afroi pranë vetes gjatë takimeve me partinë Alternativa lidhur me përfshirjen e saj në kabinetin e ri qeveritar.

Por, sa do të jetë i aftë shefi i ri i socialdemokratëve ta ruajë unitetin brenda partisë, sidomos pas largimit të tanimë ish-drejtuesit Zoran Zaev? Analisti Xhelal Neziri vlerëson se kjo do të jetë një punë e vështirë.

“E para është se profili i Kovaçevskit është disi i panjohur për opinionin publik dhe do ta ketë vështirë ta shtrijë autoritetin e tij si lider në të gjitha degët e fraksioneve të partisë. E dimë se Zaev ishte viktimë e fraksioneve brendapartiake, të cilat në një farë forme bojkotuan zgjedhjet e fundit lokale, që e detyruan Zaevin që të japë dorëheqje”, thotë ai.

Analisti Neziri mendon se zoti Kovaçevski nuk do ta ketë lehtë as të menaxhojë dallimet brenda koalicionit qeverisës.

“Dhe kjo gjithsesi mund të prodhojë kriza të reja politike siç e patëm atë të fundit me cënimin e shumicës së ngushtë parlamentare që ka ky koalicion tani për tani, që përbëhet prej 64 nga 120 deputetë”, shton ai.

Neziri thekson edhe një sfidë tjetër në planin e jashtëm që është ajo e marrëdhënieve me Bullgarinë fqinje, përkatësisht me veton bullgare në Bashkimin Evropian dhe pamundësinë që Maqedonia e Veriut të fillojë negociatat me BE-në për antarësim.

Marketing