Partia Demokratike e Kosovës dhe Vetëvendosje ishin dy partitë shqiptare që morën pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme që u mbajtën sot në veri.
Sipas PDK-së, kandidatët e tyre në katër komunat veriore morën më shumë vota krahasuar me kundërkandidatët e tyre shqiptarë, njofton Klan Kosova.
Kjo parti ka treguar edhe numrin e votave që kanë marrë kandidatët si më poshtë:
Në fshatin Lipë të Zveçanit, kandidati i PDK-së për kreun e komunës, Ilir Peci ka fituar 82 vota, kundrejt Vetëvendosjes, 5 vota.
Në Zveçan, numri total i votave për PDK-në është 117, ndërsa Vetëvendosje ka marrë në koalicion me të gjitha partitë, 55 vota.
Në Leposaviq, ku kandidat është Shaqir Hetemi, PDK-së, ka fituar 110 vota, kundrejt 62 votave.
Ndërsa në vendvotimin Kodra e Minatorëve, po ashtu, prin kandidatja e PDK-së, Gonxhe Çaushi, 100 kundrejt 95.
Në lagjen 7 Shtatori, Çaushi ka fituar 109 vota, kundrejt 33 votave të Vetëvendosjes dhe partive tjera në koalicion me të.
Në Zubin Potok, kandidati i PDK-së, për kreun e kësaj komune, Hysen Mehmeti, ka fituar 112 vota, kundrejt 98 votave të krejt partive shqiptare bashkë.