KFOR-i lëshon deklaratë për veriun: Palët të shmangin shfaqjet provokuese të forcës

Duke iu referuar krizës aktuale të sigurisë në veri të Kosovës, komandanti i KFOR-it, gjeneral major Angelo Michele Ristuccia ka thënë se ai mbetet në kontakt të afërt me të gjitha palët e përfshira në proces.
Ristuccia tha se palët duhet të shmangin tensionet dhe përshkallëzimin e situatës.

Marketing

“Është e rëndësishme që të gjithë të përfshirët të shmangin çdo retorikë apo veprim që mund të shkaktojë tensione dhe të përshkallëzojë situatën. Ne presim që të gjithë aktorët të përmbahen nga shfaqjet provokuese të forcës dhe të kërkojnë zgjidhjen më të mirë për të garantuar sigurinë e të gjitha komuniteteve. Ne i inkurajojmë të gjitha palët që të ndihmojnë në sigurinë dhe lirinë e lëvizjes në Kosovë dhe të parandalojnë narrativat mashtruese që të ndikojnë në procesin e dialogut”, thuhet në një deklaratë zyrtare të Ristuccias.

KFOR thotë se zgjidhjet duhet të gjinden përmes dialogut.

“Mbesim vigjilentë dhe plotësisht të aftë për ta përmbushur mandatin që bie nën Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, për të gjitha komunitetet në Kosovës. Zgjidhjet duhet të gjenden nëpërmjet dialogut”, përfundon deklarata e komandantit të KFOR-it.