Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, i njohur me shkurtesën KFOR, thotë se më 7 gusht, në Komunën e Kamenicës kanë zhvilluar një patrullë të sinkronizuar me Forcat e Armatosura serbe, përgjatë vijës kufitare administrative, në afërsi të fshatit Hodovc.
“Që nga viti 2008, patrullimet e sinkronizuara zhvillohen në mënyrë rutinore së bashku nga KFOR-i dhe Forcat e Armatosura serbe përgjatë Vijës kufitare administrative për të ofruar siguri dhe për t’u siguruar që nuk ka aksidente. Në këtë drejtim, KFOR-i gjithashtu zhvillon patrulla të përbashkëta me Organizatat e Sigurisë së Kosovës në afërsi të Vijës kufitare administrative”, thuhet në një njoftim të KFOR-it.
Mediat në Kosovë më 7 gusht raportuan për hyrjen e forcave serbe në fshatin Karaçevë të Komunës së Kamenicës.
Për këtë ngjarje, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti tha se organet kompetente janë duke hartuar një raport të detajuar, duke shtuar se “veprimet tona do të jenë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin, si dhe të koordinuara me të gjithë mekanizmat e sigurisë në vend”.
Lidhur me atë që ka ndodhur dje në Karaçevë, janë angazhuar të gjitha organet përkatëse për të vlerësuar rastin. Shpejt…
Publiée par Avdullah Hoti sur Samedi 8 août 2020
KFOR-i thotë se në mënyrë rutinore kryen patrullime të tilla përgjatë vijës kufitare që shtrihet rreth 350 kilometra.
“Sidoqoftë, në asnjë moment elementet e Forcave të Armatosura Serbe të një patrulle të sinkronizuar nuk ndahen nga anëtarët e KFOR-it dhe ky ishte rasti edhe këtë herë”, thotë misioni i KFOR-it
“KFOR-i do të vazhdojë të angazhohet me të gjitha palët për të forcuar bashkëpunimin si me Organizatat e Sigurisë së Kosovës ashtu edhe me Forcat e Armatosura Serbe në përputhje me mandatin e tij për të siguruar një mjedis të qetë dhe të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë, sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999 dhe Marrëveshjes Teknike Ushtarake të të njëjtit vit”, thuhet në njoftimin e KFOR-it.