Khamenei: Rezultati zgjedhor nuk e ndryshon politikën iraniane ndaj SHBA-së

Lideri Suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, ka thënë se rezultati i zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara nuk do ta ndryshojë qëndrimin e Teheranit ndaj Uashingtonit.

Marketing

Duke folur një ditë para përvjetorit të 4 nëntorit të vitit 1979, marrjes së pengjeve amerikane në Ambasadën amerikane në Teheran, Khamenei ka thënë se politika afatgjatë e Iranit nuk bazohet në atë se kush fiton në Shtetet e Bashkuara.

Uashingtoni ka shkëputur lidhjet diplomatike me Teheranin për shkak të pushtimit të ambasadës dhe marrjes së pengjeve amerikane për 444 ditë.

“Politika jonë drejt Shteteve të Bashkuara është qartësisht e ditur dhe nuk ndryshon nga lëvizjet e individëve. Nuk ka rëndësi për ne kush vjen dhe kush shkon”, ka thënë Khamenei në një fjalim që është transmetuar nga një televizion i kontrolluar nga shteti.

Autoritetet kanë anuluar këtë vit marshet e organizuara nga shteti për të shënuar pushtimin e ambasadës, për shkak të shqetësimeve rreth përhapjes së koronavirusit të ri, i cili sipas të dhënave zyrtare ka lënë të vdekur 36,000 persona në Iran.

Presidenti amerikan, Donald Trump ka tërhequr Shtetet e Bashkuara nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015, që Irani ka nënshkruar me fuqitë botërore, dhe ka rikthyer sanksionet ekonomike, të cilat kanë dëmtuar rëndë ekonominë iraniane.

Teherani është përgjigjur duke hequr dorë gradualisht nga përkushtimet që ka bërë në marrëveshjen bërthamore.

Kandidati demokrat për president të SHBA-së, Joe Biden është zotuar se do t’i rikthehet marrëveshjes së vitit 2015, nëse Teherani e zbaton atë plotësisht.

Kjo marrëveshje parasheh lirimin e Iranit nga sanksionet në këmbim të frenimit të aktivitetit bërthamor.