KHMERËT E KUQ: Një genocid i pranuar 40 vite më vonë dhe fundi i hidhur për dy liderët e moshuar

Me dënimin e dy liderëve të moshuar të Khmerëve të Kuq, Tribunali Special i Kamboxhias ka përcaktuar se krimet e kryera nga regjimi qenë genocid. Dhe i ka dhënë fund një debati mjaft të gjatë

Marketing

Është konkluzioni i një kundërshtie historike: regjimi i Kamboxhias Demokratike, që provokoi thuajse 2 milion të vdekur midis viteve 1975 dhe 1979, a mund të quhet fajtor për “genocid”?

Më 16 nëntor, Tribunali Special për Kamboxhian (ECCC), një gjykatë kamboxhiane e mbështetur nga Kombet e Bashkuara për të gjykuar ish krerët e Khmerëve të Kuq, i ka dhënë fund kundërshtisë duke e dënuar Khieu Samphan dhe Nuon Chea, respektivisht kreu i shtetit dhe ideologu i regjimit të Khmerëve të Kuq, me burgim të përjetshëm për “genocidin” jo ndaj popullit kamboxhian, por ndaj dy pakicave: vietnamezëve të Kamboxhias dhe etnisë myslimane cham.

Në janarin e vitit 1979, vietnamezët pushtuan Phnom Pehn dhe i dhanë fund regjimit të Kampuçeas Demokratike, duke vendosur një qeveri të formuar nga ish khmerë të kuq që kishin dezertuar.

Pol Pot dhe ministrat e tij u arratisën. Për të legjitimuar këtë regjim të ri, edhe ky i markës komuniste, por i rreshtuar pas pozicioneve të Hanoit, më 19 gusht të vitit 1979 autoritetet organizuan një proces në mungesë kundër “klikës Pol Pot – Ieng Sary”, respektivisht kreu i lëvizjes së Khmerëve të Kuq dhe ish Ministër i Jashtëm.

Ky proces, i nënkuptuar parasëgjithash si operacion propagande, i dha për herë të parë fjalën viktimave në publik. Juristit amerikan John Quigley, i ftuar nga gjykata, ju kërkua nëse sipas tij krimet e kryera mund të përkufizoheshin si “genocid”, sipas termave të fiksuara nga Konventa për Parandalimin e Represionin e Krimit të Genocidit e vitit 1948. Përgjigja e tij qe pozitive dhe Pol Pot e Ieng Sary u dënuan me vdekje në mungesë për krimin e “genocidit”.

Përdorimi i kësaj fjale ka pasur një rëndësi të madhe në 10 vitet e fundit: i falur në vitin 1996 pasi është riangazhuar me Kryeministrin Hun Sen, gjatë gjithë kohëzgjatjes së procesit përpara ECCC-së, Ieng Sary ka theksuar gjithmonë se nuk mund të gjykohet sërish, duke i bërë apel parimit sipas të cilit i njëjti krim nuk mund të gjykohet dy herë.

Por tribunali e ka skartuar këtë hipotezë. Nën regjimin komunist të drejtuar duke filluar qysh nga viti 1985 nga Hun Sen, termi “genocid” u përdor me rregullshmëri jo në referim të pakicave të dhjetuara, por për të treguar tërësinë e krimeve të kryera nga regjimi i Khmerëve të Kuq. Kështu, burgu S-21, qendra që regjimi përdorte për të tortuarar dhe ekzekutuar, u tranformua në muzeum, fillimisht me emrin Kampi i Shfarosjes së klikës Pol Pot – Ieng Sary, më pas me atë të Muezumit të Genocidit.

Disa ekspertë perëndimorë nuk e përdorin termin “genocid”, duke nënvizuar se sipas konventës genocidi ishte një tërësi krimesh të finalizuara në shfarosjen e “një grupi kombëtar, etnik, racor apo fetar”.

Kurse ato të kryera gjatë periudhës midis viteve 1975 dhe 1979 qenë në fakt krime të kryera nga kamboxhianë kundër kamboxhianëve të tjerë dhe kjo e bënte të pazbatueshëm përdorimin e termit “genocid” për rastin e Kamboxhias.

Të tjerë, si puna e historianit Ben Kiernan të Yale University, këmbëngulnin mbi dimensionin thellësisht racist të persekutimeve, duke ju referuar cham-ëve myslimanë, vietnamezëve të Kamboxhias dhe deri “armiqve të klasës”. Në vitin 1994, me ndihmën e qeverisë së Shteteve të Bashkuara, Ben Kiernan themeloi Programin mbi Genocidin Kamboxhian, që kishte si qëllim mbledhjen e dokumentave.

Arsye politike

Me kundërshtinë historike janë përzier çështje politike. deri në marrëveshjen e paqes së Parisit të vitit 1991, blloku perëndimor refuzoi ta njohë qeverinë komuniste provietnameze.

Kështu që deri atëhere vendi i Kamboxhias në Kombet e Bashkuara u zu nga Ieng Sary, ish Ministër i Jashtëm i Khmerëve të Kuq. Në këto kushte qe e vështirë të kalohej linja sipas së cilës mizoritë e kryera midis viteve 1975 dhe 1979 në Kamboxhia mund të njiheshin si genocid.

Në të njëjtën mënyrë, me rastin e negociatave të paqes, perëndimorë kërkuan që të bëjnë traktativa me Khmerët e Kuq për të favorizuar rikthimin e tyre në lojën politike, por kjo gjë nuk eci. Ministri i Informacionit aktual kamboxhian, Khieu Kanharith, nuk lë rast pa kujtuar se qenë perëndimorët në atë pikë që ushtruan presion për ta ndaluar përdorimin e fjalës “genocid”. Kurse në vitet ’90 u përdor shpesh, sidomos nga shkrimtari francez Jean Lacouture, termi “autogenocid”, për të treguar sesi kamboxhianët kishin qenë në të njëjtën kohë autorë dhe viktima të mizorive.

Ekspertë të ndryshëm të rastit kamboxhian e refuzuan këtë nocion. Midis tyre, psikiatri dhe antropologu Richard Rechtman, që në vitin 1998 kujtonte në faqet e “Le Monde” shprehimisht: “Efekti i kësaj amalgame, që njeh një specificitet në përkatësinë e përbashkët e xhelatëve dhe viktimave të tyre nga i njëjti komb, e njëjta etni, është shkatërrimtare për të mbijetuarit”. Në vitin 1999, Ben Kiernan qe midis firmëtarëve të një dokumenti publik në të cilin phohej se “regjimi i Khmerëve të Kuq është fajtor për kryerjen e genocidit minimalisht për 5 arësye. Viktimat e tij kanë qenë monarkia budiste e Kamboxhias dhe të paktën 4 pakica etnike: vietnamezët, kinezët, thai-t dhe cham-ët. Disa tribù të vogla, si ajo e kola-ve, janë shfarosur krejtësisht”.

Në vitin 2003 Khieu Samphan, ish kreu i shtetit të Khmerëve të Kuq, pranoi se në Kamboxhia kishte pasur “genocid”, megjithëse duke mohuar çdo përfshirje të tij. ai që e bindi, u tha, kishte qenë filmi i regjisorit franko – kamboxhian Rithy Panh me titull “S-21: Makina e vdekjes e Khmerëve të Kuq”. Megjithatë, gjatë procesit në ngarkim të tij, avokati i tij Jacques Vergès e ka mohuar gjithmonë ekzistencën e një “genocidi”. “Ka pasur shumë vdekje, disa të pafalshme. E megjithatë është e gabuar ta quash atë ndodhi një genocide të qëllimshëm. Pjesa më e madhe e njerëzve ka vdekur prej zisë së bukës dhe sëmundjeve”, deklaronte në vitin 2008. Edhe avokatët e Nuon Chea e kanë refuzuar përkufizimin gjatë gjithë kohës së procesit.

Një akuzë specifike

Kompleksiteti i akuzave kundër liderit të Khmerëve të Kuq e ka shtyre ECCC-në ta ndajë rastin në procese të veçanta. Në vitin Nuon Chea dhe Khieu Samphan janë dënuar me burgim të përjetshëm për “krime kundër njerëzimit”. Në këtë pikë është hapur kundër dy të dënuarve një proces i dytë i ngritur specifikisht me akuzën për genocide ndaj vietnamezëve të Kamboxhias dhe të myslimanëve cham-ë. Për të arritur në një vendim, ECCC-ja ka marrë në konsideratë djegiet e vëllimeve të Kuranit, mbytjen e myslimanëve dhe faktin që ju imponua të hanin mish derri. Vendimi i 16 nëntorit mbyll kështu një debat të gjatë, në përfundim të të cilit Nuon Chea dhe Khieu Samphan i është dhënë një dënim i dytë me burgim të përjetshëm.

Tri vite terror

1975 – Kryeministri Lon Nol, që në vitin 1970 kishte përmbysur me një grusht shteti qeverinë e Princit Norodom Sihanouk dhe kishte shpallur Republikën Khmere, përmbyset nga Khmerët e Kuq të Pol Pot që pushtojnë Phnom Penh. Sihanouk bëhet kryetar shteti dhe vendi riquhet Kampuçia. Ashtu si në Kinën maoiste gjatë epokës së “Hopit të Madh përpara”, banorët e qyteteve dërgohen në zonat rurale të punojnë fushat; bibliotekat, tempujt dhe gjithçka është me origjinë perëndimore shkatërrohen; mohohen liritë thelbësorë. Dhjetëramijëra njerëz që i përkisnin klasës së mesme të arsimuar torturohen dhe vriten në burgje speciale. Të tjerë vdesin prej urisë dhe sëmundjeve. Të paktën 1.7 milion njerëz kanë vdekur gjatë këtyre 3 viteve.

1976 – Vendi riquhet Kampuçia Demokratike, Sihanouk jep dorëheqjen, Khieu Samphan bëhet kreu i shtetit dhe Pol Pot kryeministër.

1978 – Forcat vietnameze pushtojnë Kamboxhian në përgjigje të sulmeve nga ana e Khmerëve të Kuq.

1979 – Në muajin janar vietnamezët marrin Phnom Penh dhe përzënë Pol Pot bashkë me repartet e Khmerëve të Kuq. Shpallet Republika Popullore e Kampuçias.

1981 – I Partia Revolucionare e Popullit Kampuçian, provietnameze dhe e drejtuar nga ish Khmerë të Kuq që kishin dezertuar dhe qenë larguar nga vendi, fiton zgjedhjet, por komuniteti ndërkombëtar nuk e njeh qeverinë e re. Kështu qeveria kamboxhiane në mërgim, ku bëjnë pjesë Khmerët e Kuq dhe Princi Sihanouk, mbajnë ulësen në Kombet e Bashkuara.

1985 – Hun Sen, ish Khmer i Kuq, bëhet Kryeministër. Vietnamezët refuzojnë të largohen nga vendi, por përplasja midis ushtrisë dhe mbështetësve të qeverisë në mërgim bën që të arratisen nga vendi qindramijëra njerëz.

1991 – Në Paris firmoset një traktat paqeje dhe një autoritet i Kombeve të Bashkua, bashkë me përfaësuesit e fraksioneve të ndryshme politike kamboxhiane, qeveris me Princin Sihanouk si kryetar shteti.

1993 – Partia mbretërore Funcinpec fiton zgjedhjet dhe lind një qeveri koalicioni me Hun Sen si zëvendëskryeministër.

2007 – Tribunali Special për Khmerët e Kuq nis nga puna me seancat e rregullta.

2018 – Më 19 nëntor qeveria njofton se me vendimin që pranon genocidin tribunali e ka përfunduar punën e tij. Funksionarë të tjerë yë rangut të mesëm të Khmerëve të Kuq qenë dërguar në gjykim, por ndoshta nuk do të procesohen kurrë. (nga Le Monde, bota.al)