Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky hodhi poshtë një ofertë të Washingtonit për të ndihmuar në evakuimin e tij nga Ukraina, thonë mediat amerikane.
Zelensky tha se “lufta është këtu. Unë kam nevojë për municion, jo një udhëtim”, raportoi Associated Press, duke cituar një zyrtar të lartë të inteligjencës me njohuri të drejtpërdrejta të bisedës.
Washington Post kishte cituar gjithashtu zyrtarë amerikanë dhe ukrainas të cilët thanë se qeveria amerikane ishte e përgatitur për të ndihmuar Zelenskyn.
Zelensky është vlerësuar gjerësisht në mediat sociale për reagimin e tij ndaj pushtimit rus. Ai kishte mbajtur më herët një fjalim emocionues në të cilin u zotua se do të vazhdojë të luftojë, duke thënë: “Kur të na sulmoni, do të shihni fytyrat tona, jo shpinën”.
Ai kishte postuar gjithashtu një video të vetë-xhiruar herët të shtunën, duke treguar atë dhe ndihmësit e tij kryesorë në kryeqytet, duke hedhur poshtë raportet se ai kishte ikur nga Kievi.
“Ka shumë informacione të rreme online se unë i kam thënë ushtrisë sonë që t’i ulë armët dhe se po ndodhë evakuimi. Unë jam këtu. Nuk do t’i ulim armët. Ne do ta mbrojmë shtetin tonë”, ka thënë ai në video-mesazhin e së shtunës.
Mëngjesin e së shtunës janë raportuar luftime intensive në Kiev. Sipas një njoftimi nga ushtria ukrainase, “po vazhdojnë luftime të rënda” në zonën Vasylkiv.
Shtoi se “lufta aktive” po zhvillohet tashmë në kryeqytet. Qeveria u tha banorëve që të qëndronin në strehimore.
Nëpër rrugë po përshkruajnë goditje të forta dhe të shtëna armësh shumë afër qendrës së Kievit.