Kina kërkon 200 milionë maska nga Turqia

Pas shfaqjes së koronavirusit të ri (2019-nVoC) në Kinë, kërkesa për maska në këtë vend është rritur.
Autoritetet kineze kanë kërkuar 200 milion maska në dhjetë ditët e fundit nga firmat mjekësore në Turqi.

Marketing

Edhe pse Kina është një nga prodhuesit më të mëdhenj të maskave në botë, koronavirusi i ri që ka shpërthyer në vend ka bërë që vendi të mos mund t’i plotësojë kërkesat për maska si masë kryesore për mbrojtje nga sëmundja, duke e orientuar atë në tregun e jashtëm.

Turqia, eksportuese e maskave, kryeson listën e vendeve prej të cilave Kina ka kërkuar të blejë maska. Kjo është arsyeja pse në sektorin e prodhimit të maskave është regjistruar intensitet i lartë.

Prodhuesit turq, duke synuar të plotësojnë kërkesën e Kinës, po vazhdojnë punën intensive.

“Kjo situatë na ka habitur, pasi Kina është një nga prodhuesit më të mëdhenj të maskave në botë”, tha për Anadolu Agency (AA) Fatih Arpacı, një nga partnerët e firmës Ak-Yel Medikal që vepron në Izmir.

“Në Turqi prodhohen rreth 150 milionë maska në vit. Megjithatë, kësaj radhe nga Kina kërkuan 200 milionë maska. Firmat (kineze) kontaktojnë me kompanitë në vendin tonë. Kërkuan që prodhimi të bëhet përnjëherë”, tha Arpacı.
Ai tha se edhe vendet e tjera të cilat furnizohen me maska nga Kina, kanë filluar të orientohen drejt Turqisë.
Arpacı njoftoi se në etapën e parë do të dërgohen 250 mijë maska.

“Shifra e kërkuar është shumë e lartë…Krahas kësaj, kishim lidhje afariste edhe më parë. Po punojmë edhe për to. Kishim kërkesa nga vende si Italia, Holanda, Franca, Polonia dhe Gjermania. Po punojmë 24 orë për ta plotësuar prodhimin. Po punojmë edhe të dielave”, tha Arpacı.

Ndryshe, koronavirusi deri më tani ka marrë jetën e të paktën 213 njerëzve në Kinë, ndërsa mbi 9.000 janë infektuar. Po ashtu, më shumë se 60.000 njerëz kanë qenë nën vëzhgimin mjekësor.

Që nga shpërthimi i epidemisë në fund të vitit të kaluar, Kina e ka vendosur qytetin Wuhan, ku u shfaq virusi, nën një bllokim në përpjekje për ta parandaluar përhapjen.
Përveç Kinës, raste të virusit janë regjistruar edhe në Japoni, Korenë e Jugut, Tajlandë, SHBA, Singapor, Francë, Gjermani, Itali, Vietnam dhe Kanada.

Marketing