Kina kundërshton hetimet amerikane për origjinën e COVID-19

Kina kundërshton hetimet e paralajmëruara amerikane për origjinën e koronavirusit, duke akuzuar Uashingtonin se po provon të politizojë kërkimet, raporton DPA.

Marketing

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, urdhëroi të mërkurën (26 maj) agjencitë e inteligjencës amerikane që për një periudhë prej tre muajsh t’i raportonin atij nëse koronavirusit i ri e ka burimin te kafshët apo nga ndonjë aksident laboratorik.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Zhao Lijian, të enjten akuzoi SHBA-në se po përpiqet të fajësojë Kinën për pandeminë dhe mbrojti qëndrimin tashmë të njohur kinez se, koronavirusi nuk ka dalur nga laboratori.

Ai theksoi se ekspertët e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) kishin ardhur në përfundim në muajin shkurt se dalja nga laboratori ishte “jashtëzakonisht e pamundur”.

Nëse SHBA-ja i kërkon Kinës të marrë pjesë në një hetim të plotë, tha ai, atëherë edhe Kina do t’i kërkonte SHBA-së të ndiqnin shembullin dhe të lejonin hetime ndërkombëtare.

Duke cituar një raport të inteligjencës amerikane, The Wall Street Journal raportoi të dielën se tre persona nga Instituti i Virologjisë në Vuhan u shtruan në spital me një sëmundje në nëntor të vitit 2019, një muaj para se Pekini të zbulonte ekzistencën e një shpërthimi të epidemisë në Vuhan.

Sipas presidentit Biden, agjencitë aktualisht janë të ndara sa i takon burimit të mundshëm të virusit që përfshiu planetin gjatë vitit të kaluar, duke vrarë më shumë se 3.4 milionë njerëz.

Republikanët, përfshirë ish-presidentin amerikan, Donald Trump, kanë promovuar teorinë se virusi doli nga një aksident laboratorik.

Biden zbuloi se dy nga 18 agjencitë e inteligjencës anojnë më shumë nga origjina në kafshë e koronavirusit dhe “një anon më shumë” në teorinë e laboratorit.

Secila nga këto agjenci ka “besim të ulët ose të moderuar” në këto teori, sipas Biden.

Presidenti udhëzoi laboratorët kombëtarë të SHBA për të ndihmuar hetimin dhe i bëri thirrje Kinës që të bashkëpunojë me hetime ndërkombëtare për origjinën e pandemisë.