Ushtria kineze nisi stërvitjet rreth Tajvanit të shtunën në shenjë “paralajmërimi të fortë” rreth asaj që Ministria kineze e Mbrotjes e cilësoi marrëveshje e fshehtë mes “separatistëve dhe forcave të huaja”. Ky zhvillim vjen disa ditë pas ndalesave që nënpresidenti i ishullit kreu në Shtetet e Bashkuara.
Udhëtimi i fundit i nënpresidentit Tajvanez William Lai në Paraguaj, përfshinte gjithashtu ndalesa në San Francisko dhe Nju Jork.
Pekini pretendon se Tajvani është pjesë e territorit të tij dhe i mëshon qëndrimit se ishulli demokratik, nuk ka të drejtë të mbajë marrëdhënie me vendet të tjera të huaja.
Autoritetet kineze thanë në një deklaratë të shkurtër se stërvitjet ushtarake synonin koordinimin e anijeve dhe avionëve si dhe të aftësive të tyre për të siguruar kontrollin e hapësirave ajrore dhe detare.
Pekini tha se po provon gjithashtu “aftësitë e trupave luftarake”, duke shtuar se stërvitjet në ujërat dhe hapësirën ajrore në veri dhe jugperëndim të Tajvanit, ishin një paralajmërim mbi provokimet nga forcat pro-pavarësisë së ishullit si dhe forcat e huaja. Komanda ushtarake kineze publikoi në internet edhe pamje nga stërvitjet.
Në një reagim Ministria e Mbrojtjes e Tajvanit bëri të ditur në platformën e mediave sociale X, e njohur më parë si Twitter, se forcat e saj kishin zbuluan 42 avionë ushtarakë kinezë, duke filluar nga ora 9 e mëngjesit të së shtunës. Në njoftim thuhej gjithashtu se 26 prej tyre kishin kaluar vijën e mesme të ngushticës së Tajvanit, një kufi jozyrtar, që konsiderohet si një zone neutrale mes ishullit dhe Kinës.
Tajvani njoftoi se dislokoi avionë dhe anije si dhe kishte aktivizuar sistemet raketore me bazë tokësore si përgjigje ndaj stërvitjeve e se po monitoronte nga afër situatën.
Ministria e Mbrotjes së Tajvanit dënoi gjithashtu ashpër ato që i quajti “lëvizje irracionale e provokuese” nga ana e inës. Tajvani tha se ushtria e vendit do të qëndronte e gatshme përballë kërcënimeve të ushtrisë kineze, duke shtuar se forcat e saj kanë “aftësinë, vendosmërinë dhe besimin për të garantuar sigurinë kombëtare”.
Tajvani dhe Kina u ndanë në vitin 1949 pas një lufte civile. Ishulli i vetëqeverisur nuk ka qenë kurrë pjesë e Republikës Popullore të Kinës, por Pekini e sheh atë si një provincë të shkëputur, e ka deklaruar se do ta rimarrë me forcë, nëse do të jetë e nevojshme./voa