Kina thotë se SHBA-ja po përpiqet ta njollosë për pandeminë e koronavirusit

Grindjet diplomatike midis Kinës dhe Shteteve të Bashkuara, për rolin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, vazhdojnë të përshkallëzohen.

Marketing

Ministria e Jashtme e Kinës e akuzoi presidentin amerikan, Donald Trump, për sulm ndaj OBSH-së, me qëllim të tërheqjes së vëmendjes nga keqmenaxhimi i pandemisë së koronavirusit.

Trump kërcënoi më herët se do t’i ndalojë përgjithmonë fondet për OBSH-në, nëse kjo e fundit nuk i ndryshon operacionet e saj brenda 30 ditësh.

Trump tha se OBSH-ja “ka treguar mungesë alarmante të pavarësisë nga Kina”.

Sipas tij, OBSH-ja i ka injoruar raportet e besueshme për përhapjen e virusit në Vuhan të Kinës, në fund të vitit të kaluar, dhe ka bërë pretendime për koronavirusin që “ishin ose të pasakta, ose mashtruese”.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Zhao Lijan, tha se SHBA-ja po përpiqet ta njollosë Kinën, për t’u shmangur nga përgjegjësitë e veta.

Trump, muajin e kaluar, i ka pezulluar përkohësisht kontributet e SHBA-së në OBSH, duke e akuzuar atë për njëanshmëri ndaj Kinës.

Zyrtarët e OBSH-së i kanë mohuar akuzat, ndërsa Kina ka thënë se ka qenë ”transparente dhe e hapur”.

Të hënën, OBSH-ja është zotuar se do të bëjë një vlerësim të pavarur të përgjigjes së saj ndaj pandemisë së koronavirusit.

SHBA-ja është vendi më i prekur në botë nga ky virus ngjitës. Mbi 1.5 milion njerëz atje janë infektuar dhe mbi 90,000 kanë humbur jetën.

Marketing