Kitikohet Shaqir Fetahu: Nuk di ta zgjidhë problemin me Medresenë ”Isa Beu”

Nga Iniciativa për reforma në BFI thonë se kryesia aktuale e BFI-së, duke përmendur kryetarin e saj, Shaqir Fetahu nuk di ta zgjidhë problemin real me Medresenë.

Sipas tyre, duhet ndryshim rrënjësor i ligjit për kishat, bashkësitë fetare dhe grupet religjioze.

“Për shkak të kësaj situate përplot manipulime dhe gënjeshtra të Shaqir Fetahut, Iniciativa për Reforma në BFI, disa herë deri më tani, ka kërkuar nga qeveria e re një ndryshim të plotë dhe rrënjësor të ligjit për kishat, bashkësitë fetare dhe grupet religjioze, si dhe transformimin e Komisionit për Marrëdhëniet me Bashkësitë Fetare. Ne besojmë se vetëm duke e ndryshuar ligjin për kishat, bashkësitë fetare dhe grupet religjioze dhe duke e transformuar komisionin në një institucion aktiv, efektiv dhe përgjegjës, do të zgjidhet problemi me shkollën e mesme teologjike islame, “Medresenë  Isa Beu”. Në fakt, vetëm kështu. ajo do ta rifitojë autoritetin e saj tek myslimanët e vendit dhe më gjerë, cilësinë e mësimdhënies dhe sigurisht cilësinë e kuadrit që do të përgatitet dhe diplomohet nga kjo shkollë, d.m.th. që shkolla të kthehet në funksion për atë për çfarë është themeluar dhe për asgjë tjetër, ndërsa për të arritur cilësinë, akreditimi i shkollës nga ana e shtetit është i pashmangshëm, sepse cilësia e kësaj shkolle është shumë e rëndësishme, jo vetëm brenda kufijve të Maqedonisë së Veriut, por edhe shumë më gjerë”, thuhet mes tjerash në reagimin e IR BFI.

”Deklarata e Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese Darko Kostadinovski “FALË ZOTIT QË GJYKATËSIT E MËPARSHËM KUSHTETUES E RUAJTËN SEKULARITETIN E SHTETIT” flet shumë qartë dhe pa mëdyshje për injorancën dhe analfabetizmin e gjyqtarëve kushtetues. Në fakt, “sipas gjykatëses raportuese Ana Pavllovska-Daneva, Gjykata Kushtetuese, edhe kësaj here, me vendimin e saj, të miratuar me shumicë votash, si dhe në disa raste të mëparshme, me vendimet e saja, të miratuara në përbërje të ndryshme gjyqësore, QËNDROI NË MBROJTJE E SEKULARITETIT TË SHTETIT”. Në të vërtetë, shumica e gjyqtarëve votuan edhe këtë herë “paushall” dhe në kundërshtim me kushtetutën dhe të gjitha ligjet për arsimin, si dhe në kundërshtim me ligjin për kishën, bashkësinë fetare dhe grupin religjioz. Këtu do ta theksonim faktin se gjykatësit kushtetues nuk kanë asnjë ide për kuptimin dhe domethënien e parimit të sekularizmit. Në fakt, nëse Kryetari i Gjykatës Kushtetuese Darko Kostadinovski nuk do t`i ishte falënderuar Zotit, sinqerisht do të mendonim se Enver Hoxha do të kishte reinkarnuar në të ose Nexhmije Hoxha në rastin e gjykatëses Ana Pavllovska-Daneva. Por, për fat të keq, ky është realiteti i Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë, thjesht xhahila me diploma.
Së fundmi, edhe BDI-ja reagoi në “mbrojtje” të BFI-së dhe myslimanëve. Megjithatë, Iniciativa për Reforma në BFI nuk do të komentojë reagimin e fundit dhe, deri më tani, të vetëm të BDI-së në lidhje me BFI-në dhe myslimanët. Në fakt, 22 vitet e qeverisjes së BDI-së nuk e zgjidhën këtë problem, ndërkohë që kishte plot dëme dhe poshtërime të pariparueshme ndaj BFI-së dhe myslimanëve, veçanërisht që nga viti 2013, kur BDI-ja e kapi plotësisht BFI-në dhe e mori në zotërim të plotë, gjendje e cila vazhdon edhe sot”, përfundojnë reagimmin nga kjo Iniciativë

(Tv21)

Marketing