Kjo është këshilltarja që zëvendëson Hekuran Dukën

Këshilltare e re në Këshillin 15-anëtaresh të Komunës së Dibrës prej sot është Arbëresha Turkeshi nga BDI-ja. Ajo vjen në vendin e Hekuran Dukës, i cili në zgjedhjet e parakohshme të mbajtura më 21 prill është zgjedhur për kryetar të komunës së Dibrës.

Marketing

Në seancën e 21-të të rregullt, mes tjerash këshilltarët debatuan dhe e miratuan raportin për realizimin e Programit për mbajten e pastërtisë publike në komunë për vitin e kaluar, si dhe Programin për këtë vit.

“Qëllimi kryesor edhe këtë vit do të jetë mirëmbajtja e pastërtisë në sipërfaqet publike të ambientit të hapur të objekteve publike, për shkak të sigurimit të kushteve më cilësore për jetesë të qytetarëve dhe ambient më të pastër të jetesës në komunë. Krahasuar me vitin e kaluar, vëllimi i punës është rritur për shkak të ndërtimit të rrugëve të reja, por ne maksimalisht do të angazhohemi me qëllim që t’i përgjigjemi detyrës”, deklaroi Omer Cami, udhëheqës i sektorit higjienë komunale pranë Ndërmarrjes komunale publike “Standard”.

Për mirëmbajtjen e sipërfaqeve publike, pastrimin e 4,2 milionë metrave katrorë, larjen e rreth 1,2 milionë metra katrorë, si dhe pastrimin e borës dhe akullit në periudhën e dimrit të 15.500 metrave katrorë, janë planifikuar të harxhohen mjete me vlerë prej rreth 3,5 milionë denarë.
Këshilltarët miratuan edhe disa vendime nga sfera e urbanizimit.