Kjo mrekulli po shkatërrohet, ndërsa bota rri e vështron

Palmira është një qytet antik në Sirinë e sotme. Një ndër më të famshmit në botën antike. E pra ky qytet antik ka rënë tashmë në duart e terroristëve të ISIS. Formacionet e Shtetit Islamik kontrollojnë të gjitha hyrjet që të çojnë në sitin arkeologjik me famë botërore, kurse UNESCO flet tashmë për shkatërrimin e disa monumenteve . Pas ditësh të tëra rrethimi, sulmesh e tërheqjesh, siti i çmuar ka rënë në duart e islamistëve.

Marketing

Shtetet e Bashkuara u deklaruan të preokupuara për marrjen e Palmirës nga ISIS, kurse presidenti francez Hollande u shpreh nga Riga, ku ndodhet për një vizitë, se “duhet të reagojmë për të mbrojtur trashëgiminë kulturore të njerëzimit dhe për të gjetur një zgjidhje politike. Bota duhet t’i përgjigjet kërcënimit të ISIS në Palmira”.

Ushtarët e ISIS kanë vrarë masivisht robërit sirianë që kanë kapur, pa kursyer as jetët e civilëve që kanë gjetur në qytetin e Palmirës, që ndodhet pranë rrënojave të famshme. Pretendohet se rreth një e treta e 200 mijë banorëve të qytetit, tashmë kanë ikur. Sipas OKB, ISIS ka penguar shumë banorë të Palmiras, që të largohen, duke i kthyer ata në pengje të gjallë.