Klaus: Zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut do të kenë ndikim mbi disa vende anëtare të BE-së

Ambasadori gjerman pranë BE-së në mëngjes përsëriti se fillimi i negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë janë mes prioriteteve kryesore të kryesimit të ardhshëm gjerman, por potencoi edhe se “disa vende anëtare”, kanë paralajmëruar se zgjedhjet do të ndikojnë mbi qëndrimin e tyre.

Marketing

Ambasadori Mikael Klaus në mëngjes e ka prezantuar programin e kryesimit gjerman i cili fillon më 1 korrik dhe i cili jozyrtarisht quhet “Kryesia Korona”, paralajmërim i qartë se edhe në gjashtë muajt e ardhshëm në BE do të dominojë kriza e Kovid-19 dhe pasojat e saj.

Gjermania do të vazhdojë të insistojë në vlerën e zgjerimit për Bashkimin Evropian, në këtë kontekst hapja e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë janë faktor i rëndësishëm për politikën e zgjerimit, përsëriti Klaus. Por, ai paralajmëroi se nuk duhet të pritet vendim në nivel politik këtë muaj. Zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut gjithashtu do ta kenë rolin e tyre.

“Duhet t’i shohim qëndrimet e vendeve anëtare, nuk mund të tregoj emra, por kur pyetni për zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut, nëse do të ndikojnë ose jo, dëgjojmë nga disa vende anëtare se ato do të ndikojnë mbi vendimin e tyre, kur pastaj do të jetë lëndë e negociatave në Këshill”, deklaroi Klaus për (MEDIAL)-n.

Në lidhje me afatet, Komisioni Evropian javën e ardhshme duhet ta shpallë korrnizën negociuese për Shkupin dhe Tiranën, ky dokument pastaj do të shqyrtohet në nivel të grupit të punës në Këshill, pastaj do të kalojë në tryezën e ambasadorëve të vendeve-anëtare, ku priten negociata më thelbësore. Kjo nuk lë kohë për ministrat në Këshillin për punë të përgjithshme të qershorit të sjellin vendim. Megjithatë, në mbledhjen ministrore të qershorit pritet të dominojë koronavirusi dhe negociatat për buxhetin shtatë vjeçar të BE-së. Temë e cila gjithashtu është e rëndësishme për vendet e Ballkanit Perëndimor, sepse nga ajo do të varet edhe vëllimi i mbështetjes ekonomike që e planifikon Komisioni Evropian.

Nëse arrihet konsensus në nivel të ambasadorëve, është i mundur vendim për datë për fillim të negociatave dhe hapja e kapitujve të parë të bëhet këtë verë, thonë burimet diplomatike në Bruksel për (MEDIAL). Kryesimi gjerman, përsëriti ambasadori Klaus, nuk tërhiqet nga fillimi formal i negociatave deri në fund të këtij viti, me siguri në vjeshtë.

“Kemi marrëveshje për negociata me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, kjo do të jetë një nga temat e rëndësishme të kryesimit gjerman dhe pres kjo të ndodh në vjeshtë”, tha Klaus.

Porosinë e njëjtë dje e dërgoi edhe ministri për Evropë dhe Gjermani, Mikael Rot, i cili shprehu keqardhje që disa vendeve anëtare të BE-së “me reputacion” u nevojitej aq shumë kohë të arrijnë konsensus për hapje të negociatave me Shkupin dhe Tiranën, duke aluduar në tensione mes anëtareve të BE-së vjeshtën e kaluar, kur Franca e bllokoi vendimin.

Për të qetësuar francezët, Komisioni Evropian përgatit metodologji të re negociuese, e cila mori mbështetjen e të gjitha 27 anëtareve të Unionit.

“Ballkani Perëndimor mbetet prioritet strategjik për ne, zgjerimi është i rëndësishëm edhe për arsye gjeopolitike, shikojmë se aktorët e huaj përpiqen të fitojnë në ndikim të rajonit, si Rusia, Kina dhe Turqia, edhe këtë duhet ta kemi në mendje”, tha Klaus.

Marketing