Klinika e Toksikologjisë, Çibishev largon 18 të angazhuarit me kontrata

Drejtori i ri i Klinikës së Toksikologjisë, Andon Çibishev, ua ka ndërprerë kontratat 18 personave që ishin angazhuar në këtë klinikë, siç thotë ai, në mënyrë të kundërligjshme. Sipas tij, kontratat e tyre kishin skaduar më 31 dhjetor të vitit 2023 dhe prej atëherë ata kanë punuar me marrëveshje të kundërligjshme, që ka ndikuar negativisht në punën e klinikës.

Marketing

“Tanimë punësime, më falni që do të përdorë shprehjen “në formë të kaubojve”, nuk do të ketë në këtë institucion, do të punësohen të gjithë sipas ligjeve të këtij shteti.”, – deklaroi drejtori i Klinikës së Toksikologjisë, Andon Çibishev.

Çibishevi tha se e ka njoftuar ministrin Taravari me nevojat për kuadro të domosdoshme për ta kaluar verën dhe pas kërkesës deri te ministria sipas procedurës pret nga ministria që sa më parë të marrë pëlqim. Drejtori i ri tha se nga të angazhuarit e deritanishëm në mënyrë të kundërligjshme ka vendosur ta mbajë në punë vetëm biologun, pasi nga biologu varen shumë punë në klinikë.

“Biologu po ashtu ishte jashtë ligjit me kurrfarë marrëveshje, por ne e ftuam dje kolegen biologe, nga e cila na varen shumë punë në klinikë dhe i dhamë marrëveshje, pasi unë sipas ligjit për mbrojtje shëndetësore kam të drejtë, pa pëlqim nga financat të bëj marrëveshje për një për qind nga numri i përgjithshëm i të punësuarve. Nga ajo një për qind vlerësuam se prioritet është të pranohet biologu dhe biologu prej sot funksionon në klinikë në kuadër të ligjit.”, – theksoi drejtori i Klinikës së Toksikologjisë, Andon Çibishev.

Sipas Çibishevit, angazhimi i kundërligjshëm i këtyre 18 personave i ka kushtuar klinikës 650 mijë denarë për një rrogë e gjysmë që e kanë marrë këta persona, për çka janë njoftuar institucionet kompetente. Megjithatë drejtori i ri thotë se klinika ka mungesë të kuadrove si mjek, infermier, laborant, pastrues, por në 7 vitet e kaluara janë angazhuar kuadro, por nuk janë punësuar.