Koalicionet parazgjedhore, Thaçi: Jo koalicion me LSDM-në, PDSh vetë në zgjedhje

Kreu i PDSh-së, Menduh Thaçi, nuk e sheh si opsion të hyjë në derën e koalicionit parazgjedhor, që ia la hapur kreu i LSDM-së. I ftuar në “Presing” në Kosovë, Thaçi tha se nuk ka kohë që koalicioni i LSDM-së me një parti të vogël shqiptare, të zgjerohet edhe me partinë që drejton. Në zgjedhje PDSh do të garojë e vetme. Thaçi thotë se ka shumë dallim mes tij dhe Bilall Kasamit e se kurrë nuk do bënte koalicion me Zaevin apo këdo qoftë, pa treguar qartë se për çfarë janë dakorduar.

Marketing

“Vet do shkoj. Ka shumë pak kohë se ne këto 4-5 ditë duhet të mbyllim listat. Unë nuk jam i gatshëm të bëj kompromis me çështjen e pozitës së zëvendëskryeministrit. Deri tani qeveria ka pasur 4 zëvendëskryeministra. Kërkesa ime është ndryshe, një zëvendëskryeministër dhe të mbulojë sektorin ekonomik dhe financiar.”,- tha kryetari i PDSh-së, Menduh Thaçi.
Thaçi nuk hedh poshtë mundësinë e koalicioneve paszgjedhore, por përkujton se atëherë flet matematika e jo kalkulimet e liderëve. Nëse dallimet mes dy partive maqedonase pas 12 prillit janë të vogla, pranon mund të përsëritet skenari i 2016. Por, nëse VMRO fiton me dallim të madh votash, ripërsëritja e 2016 do ishte një skenar me rrezik edhe për shqiptarët.

“Ne atëherë legalizojmë mënyrën se qeveri mund të bëjë kush mbërrin. E mundet që në zgjedhjet e katërta një parti maqedonase të marrë 65 deputetë, e të thotë nuk më duhen forcat politike shqiptare.”,- u shpreh kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi.
Thaçi gjithsesi nuk beson as se LSDM do të përsërisë rezultatin e zgjedhjeve të 2016, kur mori votat shqiptare. Ai thotë se shqiptarët e kuptuan që as me LSDM-në gjërat nuk ndryshuan për ta.

“Në aspektin ekonomik, shqiptarëve iu përkeqësua situata. Vetëm një çështje ka pozitive, që ne debllokuam procesin integrues. Çështjet e tjera nuk kanë ecur përpara.”,- theksoi kryetari i PDSh-së, Menduh Thaçi.

Kreu i PDSH-së është i gatshëm të përballet me të gjithë liderët shqiptarë në debat në mënyrë që populli të dijë për kë duhet të përcaktohet më 12 prill.