Koalicionet për formimin e Qeverisë, Mickoski takon partnerët e koalicionit parazgjedhor

VMRO-DPMNE-ja, në një takim me 21 partnerët e koalicionit parazgjedhor “Maqedonia Jote”, diskutoi formimin e qeverisë së re. Nga ata mori mbështetjen për nisjen e bisedimeve me parti të tjera për formimin e Qeverisë.
“Në takim u konstatua se Koalicioni realizoi një rezultat të suksesshëm dhe historik, i cili na jep përgjegjësi për realizimin e pritshmërive. Mickoski mori mbështetjen nga kryetarët e partive të koalicionit për nisjen e bisedimeve për formimin e Qeverisë së re. Bisedimet do të duhet të realizohen bazuar në postulatet për rritje të shpejtë ekonomike, betejë e fuqishme kundër krimit dhe korrupsionit dhe integrime sipas parimeve dhe vlerave.”, thuhet në komunikatën e VMRO-DPMNE-së.
Sipas paralajmërimeve të VMRO-DPMNE-së, koalicioni VLEN pritet të jetë partneri potencial i VMRO-DPMNE-së, me të cilin do të bisedohet periudhën që vijon. Bisedimet për Qeverinë e re pritet nisin nga e hëna.
Ndërkohë mësohet se VLEN-i është dakorduar që të jetë pjesë e gupeve të punës, të cilat do të formohen për të negociuar programin qeverisës. Megjithatë, në një intervistë, kreu i Lëvizjes Demokratike Izet Mexhiti është shprehur se jo me çdo kusht do të jenë pjesë e Qeverisë.
Ndërkaq pretendim i koalicionit VLEN është që ndryshimet kushtetuese të jetësohen gjashtë muaj nga dita e formimit të Qeverisë. Sipas afateve të parapara në kushtetutë, Qeveria do të duhet të propozohet deri në fund të qershorit. Përbërja e re qeverisëse duhet të votohet me shumicë votash nga 61 deputetë prej gjithsej 120 deputetëve në Kuvend.