Duke u nisur nga maksima “Armiqtë të forcojnë, aleancat të dobësojnë”, jo çdo herë aleancat politike rezultojnë në sukses. Në skenën politike të RMV-së në vazhdimësi po krijohen aleanca që në vete ngërthejnë absurdet e të gjitha llojeve. Kur mungojnë parimet, doktrinat e programet, dhe kur i vetmi qëllim për aleancat politike është marrja e pushtetit me çdo kusht, atëherë debatet për vlerat dhe postulatet kryesore të fushëveprimit politik eklipsohen nga nacional romantizma, krekosjet naive dhe nga fjalimet patetike. Mamendja e partive politike të spektrit opozitar për tu ulur dhe për të ofruar një program ndryshe flet shumë për cektësinë e mentalitetit të këtyre partive. Bajraktarizmi është kryefjala e politikbërjes së po këtyre partive politike.
Në asnjë moment deri më tani, që të tre partitë opozitare Besa, Aleanca dhe Alternativa nuk kanë prezantuar para opinionit një fletë të vetme të formatit A4 me koncepte dhe ide për qeverisjen e tyre. Madje, ata janë në kërkim të formulës magjike për të plotësuar apetitet vetanake në listat për deputet dhe kjo është shumë trishtuese! Prandaj, për ata që shohin pas kodrës është e qartë që të tre partitë, më tepër përgatiten për periudhën pas-zgjedhore se sa për periudhën e tanishme, që nënkupton se tentimi për të marë sa më shume deputet në listën ” koalicionuese” bëhet që nesër të mund të rrisin pazaret vetanake karshi partive maqedonase.
Është e qartë që çdo koalicion ndërtohet me parimin se kush, dhe sa peshon në elektorat – por jo me çdo kusht, ngase koalicionimin mes Aleancës dhe Alternativës edhe populli ka filluar ta quaj “Koalicioni i Arnave” dhe njëra tjetrën do të duhet ta arnojnë aty ku janë të “grisura”. Koalicioni mes këtyre dy partive me dallime të jashtëzakonshme në mentalitet dhe trashëgimi, si dhe në konceptin e diskursit politik, ku parim të vetëm e kanë mbulimin e terrenit dhe plotësimi i njëra tjetrës nuk quhet tjetër përveç se perverzitet politik.
Partia Besa në realitet nga e gjithë kjo amulli opozitare ka dalë fitimtare duke arritur qe të mbrojë autonomin e veprimit politik të saj dhe të mbesë në realitet konkuruesi real opozitar brenda kampit shqiptar. Në perspektivë, partia Besa i ka bishtnuar edhe një fenomeni tjetër, asaj të një shkrirjeje të natyrshme qe do te ndodhë me Alternativën në periudhën pas-zgjedhore, ngase Aleanca këtë edhe e ka pikësynim të vetëm, që në këto zgjedhje të kryeson në kampin opozitar dhe të imponojë shkrirjen e partive tjera nën siglën e Aleancës. Shihet qartë mos pasja e kapacitetit të partisë Aleanca për Shqiptarët për të krijuar një gravitet të mjaftueshëm që do të ndihmonte në afrimin dhe krijimin e një blloku opozitar.
Partia vazhdon të koketojë me çdo individ që në prapavijë posedon bagazh dhe histori të dyshimtë. Madje, afrimi i disa individëve që arritjen më të madhe të karrierës së tyre e kanë rolin e zhurmuesit dhe kalimin nga një parti te tjetra ende më shumë e ka bërë të qartë mos pasjen e një politike konsistente të kësaj partie. Në mungesë të një vizioni të qartë dhe konciz, në mungesë të artikulimit të drejtë të kërkesave opozitare dhe duke flirtuar herë me pushtetin dhe herë me opozitë, në sytë e votuesit, kjo parti arriti që të humb kredibilitetin dhe të imponohet me vlera ku njerëzit mund të mbështeten dhe të kërkojnë një zgjedhje më ndryshe. Thirrja për ndryshim, kampit opozitar I ka mbet klithja e vetme pasi në të gjitha matematikat tjera kanë dështuar.
BDI është parti e cila qeveris 18 vite, në çdo cep te globit, asnjë parti politike nuk do të ishte imune nga keqpërdorimet e funksionarëve të saj dhe nga mosrealizimi 100% i programit. Madje, edhe nga konsumimi që i ndodh çdo partie e cila qeveris më shumë se dy mandate. Kur jemi këtu dhe i marrim parasysh këto elemente të lartpërmendura, partive opozitare u jepet mundësia për të ndërtuar një kauzë opozitare duke u bazuar në këtë realitet.
Por, këta kanë halle të tjera, kanë hallin e bajraktarizmit, andaj BDI është obliguar që e vetme pa ndihmën e askujt të fokusohet në përmbushjen e të gjitha kërkesave, në realizimin e tërë programit dhe në zbatimin e plotë të frymës së Marrëveshjes së Ohrit, marrëveshje që ndryshoi mënyrën e të vepruarit politik të shqiptarëve, rilindi shqiptarët në RMV dhe u vendosën gurrëthemelet e përparimit të kombit shqiptar në sferën e arsimit, shëndetësisë, kulturës, përfaqësimit dhe të integrimit si shqiptar në shtet. Mbamendja kolektive e shqiptarëve që nga në fillimet e pluralizmit në RMV, nga vitet e 90 e këndej nuk njeh një parti të organizuar në tërë horizontalen dhe vertikalen e saj siç është BDI-ja. BDI mbetet parti, e cila asnjëherë nuk bëri kompromis me postulatet e saja duke marrë parasysh që opozita e atëhershme dhe opozita e sotme ndajnë të njëjtën ADN. BDI do të ngelet pararojë e interesave te kombit shqiptar në RMV.
Për ta mundur BDI-në, nevojiten më shumë se slogane dhe statuse të rrjetit shoqëror Facebook. Nevojitet më shumë se sa krijimi i aleancave perverse dhe nevojitet më shumë se një tifozllëk fëmijëror i aktivistëve opozitar.