Që nga momenti që u prish koalicioni trepalësh mes Aleancës për Shqiptarët, Alternativës dhe Lëvizjes Besa, Lëvizja Besa u shpreh se është e gatshme për koalicion të mundshëm me LSDM-në. E LSDM u shpreh se është e hapur ndaj të gjitha partive për koalicion duke përjashtuar vetëm VMRO-DPMNE-në.
Mbrëmë në festën e 12 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, kreu i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, Arjanit Hoxha, Kastriot Rexhepi dhe Muhamed Zekiri nga LSDM, të buzëqeshur pothuajse gjatë gjithë kohës qëndruan nën shoqërinë e njëri-tjetrit.
Të pyetur nga TV21 se mos ka diçka rreth koalicionit LSDM- BESA, Muhamed Zekiri tha se të qëndruarit bashkë nuk jep indicie se mund të ndodhë ose nuk mund të ndodhë një koalicion i tillë.
“Ne jemi përfaqësues të partive politike dhe në evenimente të ndryshme gjithsesi edhe bashkë, përshëndetemi dhe bashkëbisedojmë dhe ajo që kemi qëndruar bashkë nuk do të thotë se mund të ndodhë koalicioni ose mund të mos ndodhë koalicioni. Ju mund të më shihni në shoqëri edhe me përfaqësues të partive tjera politike”, tha Zekiri.
E Arjanit Hoxha nga Lëvizja Besa shkurt nëpërmjet një SMS- porosie tha se me deputetin e LSDM-së Muhamed Zekiri janë miq edhe jashtë politikës.
Ndërkohë Zekiri u shpreh se ende është herët për koalicion dhe se këtë do ta mendojnë pas miratimit të ligjeve që janë në Kuvend.
“Mendojmë njëherë të përfundojmë proceset që i kemi në parlament, ligjet e rëndësishme që duhet t’i miratojmë dhe të shpërbëhet parlamenti dhe më pas do të fokusohemi sa i përket koalicioneve të mundshme parazgjedhore. Ka kohë ende, afati i fundit për dorëzimin e listave për deputet është nëse nuk gaboj 17 marsi”, shtoi ai.
Nga ana tjetër jozyrtarisht mësohet se Lëvizja Besa dhe LSDM kanë arritur marrëveshje për vendosjen e grafit etnik në letërnjoftime, kërkesë kjo e Besës që nga procesi i ndryshimeve kushtetuese. Thuhet se për këtë në Kuvend është dorëzuar propozim-Ligjit në këmbim të dy votave pro për Ligjin për Prokurorinë Publike.