Rreth 6 mijë amendamentet për Kodin Zgjedhor do të fillojnë të shqyrtohen të mërkuren në seancën e Komisionit për sistem politik. Kreu i Komisionit Aleksandër Kiracovski deklaroi se deri tani nuk ka sinjale se ndonjëra nga partitë është e gatshme të tërheqë amendamentet.Unë nuk jam i sigurt se para shpërndarjes së Kuvendit do të mund ta përfundojmë debatin për amendamentet. Unë jam i obliguar si kryetar i Komisionit ta filloj seancën e Komisionit me të cilën do të fillojë procedura e amendamenteve. Asnjë nuk mund ta parashikojë nëse në ndonjë moment, ndoshta, deputetët që i kanë dorëzuar amendamentet, nuk do t’i tërheqin dhe kjo zgjidhje ligjore të kalojë shpejt- deklaroi Aleksandër Kiracovski, kryetar i Komisionit për sistem politik.
Nga VMRO-DPMNE-ja thonë se amendamentet nuk i kanë dorëzuar për t’i tërhequr por për të penguar sjelljen e ndryshimeve të Kodit Zgjedhor. Koordinatori i grupit parlamentar Nikolla Micevski, madje thotë se nuk janë plotësuar kushtet procedurale për fillimin e debatit në komision për amendamentet.
Sipas rregullores, nuk kemi mundësi të fillojmë me seancën deri sa ne si deputetë nuk i marrim materialet e kompletuara dhe t’i shikojmë. Ne i dimë amendamentet tona por duhet t’i shikojmë amendamentet e BDI-së që të mund të debatojmë. Ato amendamente nuk janë dorëzuar që të tërhiqen- tha Nikolla Micevski, koordinator i grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së.
Në Kuvend janë dy propozime per ndryshim të Kodit Zgjedhor. Për propozimin për barazi gjinore dhe lista të hapura të kandidatëve për këshilltarë komunash janë përpunuar 1544 amendamente. Për propozimin për një njësi zgjedhore janë përpunuar 2190 amendamente. Shërbimet janë akoma duke përpunuar 2165 amendamente të tjera plotësuese. Të gjitha amendamentet janë dorëzuar nga BDI-ja dhe VMRO-DPMNE-ja.