Në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut sot pritet të fillojë debati parlamentar për amendamentet e propozuara për ndryshimin e Kodit zgjedhor.
Kryetari i Komisionit parlamentar për sistem politik dhe marrëdhënie ndërmjet komuniteteve, deputeti i LSDM, Aleksandar Kiracovski ka thirrur seancën e komisionit gjatë pasdites, por duke u përballur me valën e mijëra amendamenteve të propozuara nga VMRO-DPMNE dhe BDI, që janë kundër ndryshimit të kodit në këtë periudhë kur vendi po hyn në fazën parapërgatitore për zgjedhjet e 12 prillit.
Dy partitë VMRO-DPMNE dhe BDI janë kundër sistemit zgjedhor me një njësi zgjedhore dhe se kërkojnë që të vijojë sistemi zgjedhor me 6 njësi zgjedhore. Sipas tyre, është kohë e shkurtër aplikimi i një sistemi të ri zgjedhor, derisa LSDM e kryeministrit Zoran Zaev e ka përkrahur propozimin për një njësi zgjedhore, që është bërë nga deputetët e partive më të vogla në Kuvend. Në rend dite janë edhe ligje të tjera që janë përgatitur nga maxhoranca aktuale, por opozita ka thënë se do të pengojë miratimin e tyre, për shkak se bëhet fjalë për ligje populiste që sillen në prag të zgjedhjeve dhe para shpërndarjes së Kuvendit.