Kolumnë: Dum spiro spero

Detyrë dhe obligim i çdo njeriu është të formojë personalitetin e vetë dhe të ec nëpër këtë jetë i bindur se vetëm urdhërat e Zotit mundë t’a ndihmojnë të gjejë lumturinë.
Shkruan h. Sulejman ef. Rexhepi

Marketing

Titulli i këtij shkrimi është në fakt një sentencë latine që afërsisht do të thotë “ Deri sa frymoj, shpresoj” dhe shumë njerëzve që luftojnë me vështirësitë e çdo lloji deri në frymën e fundit ju ka shërbyer si një parim shtytës, si moto mbi të cilën janë mbështetur edhe atëherë kur në horizontin e tyre kanë mbisunduar erësira dhe mjegullnajat. Dhe, njerëzit që asnjëherë nuk i kanë humbur shpresat përherë kanë gjetur forcë për të ngadhënjyer mbi errësirën dhe mjegullnajat.

Në këtë vazhdë,një natë më rastisi të bisedoj me një grup djem të rinjë të cilët më lanë një përshtypje të fuqishme me thellësinë dhe seriozitetin me të cilin e shihnin jetën, zhvillimet në shoqëri, perspektivat. Dhe, u befasova këndshëm sepse te këta djem që i njihja qysh heret,e vërejta qartë evoluimin e mendimit që kish kaluar nga një gjendje në një tjetër. Të menduarit e njeriut është vërtetë proces infinitiv, ai nuk njeh pengesa dhe nuk njeh ndalesa.Por, edhe diçka më bëri përshtypje te këta të rinjë, diçka që ishte zhgënjyese dhe që kohëve të fundit po e vërej te shumë të rinjë shqiptarë. Ata, sikur e kishin humbur shpresën që ardhmëria e tyre mundë të bëhet më e bukur këtu ku janë andaj po kërkonin shteg për të dalë jashtë vendit.

“Ai që ka shëndet, ka shpresë, ai që ka shpresë, ka çdo gjë”, thonë arabët dhe nuk e kanë keq, ju thashë djemve. Unë jam i sigurtë se shpresat e juaja janë të gjalla dhe të shumta, ndoshta jeni nga pakë të zhgënjyer nga situata në të cilën po jetojmë, por ja që të gjithë po përballemi me të njejtat gjëra. Do kalojnë shumë kohë, do rrjedhë shumë ujë poshtë urës së Sarajit deri sa ju të përballeni me humbjen e shpresës. Ju në fakt as që e dini çka është shpresa sepse vlerën e sajë njeriu e kupton vetëm kur vërtetë e humbë. E ajo, shpresa pra, di të pret. Por, mos haroni se Zoti është Ai që n’a ka pajisur me shpresë dhe e ka lidhur atë me durimin dhe suksesin në jetë. Kështu u përpoqa t’ua frenoj pakëz zhgënjimin atyre djemve dhe t’ua bëj më të qartë se shanse të shumta dhe mundësi të shumta kanë përpara vehtes, vetëm duhet të dijnë t’i shfrytëzojnë.

Pasi e fillove me sentencë, po e them edhe unë një, më tha djaloshi që ishte më i heshturi. Eshtë fjalë e urtë shqipe -“Kush jeton nga shpresa, ai vdesë nga uria”. Dhe, ne po frikësohemi se duke jetuar me shpresën, po na shkon rinia pa e arritur asnjë sukses, u pajtua i tërë grupi i të rinjëve. Cfarë do thoni tani, më pyetën.

Do e them edhe një fjalë të urtë, u përgjegja. “ Në rrugën mes shpresës dhe suksesit, Zoti e ka caktuar që njeriu duhet të derdhë djersë”. Dhe mos haroni se atëherë kur humbë shpresa, jeta bëhet e pa vlerë, e bezdisshme, e turpshme.Andaj, mos heqni dorë nga ëndrat dhe qëllimet e juaja nëse një herë nuk janë realizuar, mos i urreni të gjithë trëndafilat nëse një gjëmb i tyre ju ka hyrë në gisht. Ju fola kështu atyre djemve të rinjë e të mençur, i sigurtë se ata vërtetë kanë pse të shpresojnë pikërisht këtu ku janë dhe nuk kanë nevojë të bredhin rrugëve që shpiejnë kantiereve dhe baushtellave.

Sepse, nga çasti kur vijmë në këtë botë, ne e fillojmë udhëtimin tonë drejtë vdekjes.A nuk është kjo një arsye serioze që të përpiqemi të kuptojmë e të kënaqemi me vlerat dhe bukuritë e jetës të cilat nuk janë krijuar për t’i nëpërkëmbur? Zoti n’a ka dhënë mundësi që, duke e njohur Madhështinë e Tijë, mysafirllëkun tonë në këtë botë t’a bëjmë më të këndshëm e më dinjitoz, më kuptimplotë. Por, gjithsesi, nga ne varet se cilit shteg do qarkullojmë.

Detyrë dhe obligim i çdo njeriu është të formojë personalitetin e vetë dhe të ec nëpër këtë jetë, i bindur se vetëm urdhërat e Zotit mundë t’a ndihmojnë të gjejë lumturinë. Dhe, poashtu, njeriu duhet të jetë i vetëdijshëm se Zoti i vendosë përpara sprovave të shumta ata të cilëve ua dëshiron të mirën. Situatat e vështira në jetë duhet të shfrytëzohen për të forcuar vehten shpirtërisht, për të krijuar raporte të shëndosha me Krijuesin.Të vajtojë për shkak të një situate të vështirë është e kundërta e asaj që Zoti e kërkon nga një besimtar, Ai e do besimtarin të durueshëm dhe të qëndrueshëm.

Djemtë u shpërndanë vonë atë natë.Shpresoj se deri te ata dhe deri te të gjithë të rinjtë tanë që po ballafaqohen me paqartësitë dhe vështirësitë e jetesës, do reflektohet bile një çikë e eksperencës që ne më të moshuarit e kemi tubuar duke u ballafaquar me halle e derte të paimagjinueshme për gjeneratat e sotme. Dum spiro spero!

Marketing