Kolumnë: Shumë zhurmë

Po të kishim në zemrën tonë vetëm një grimcë të mëshirës me të cilën Zoti e ka mbuluar botën, njeriu për njeriun nuk do të ishte ujk. Po të depërtonte në shpirtin tonë vetëm një rreze e dritës me të cilën Zoti e ndriçon jetën e njeriut, nuk do të ekzistonin urrejtja, smira, lufta,krimi…
Shkruan h. Sulejman ef. Rexhepi

Marketing

Duke qenë dëshmitarë të keqinterpretimit dhe të keqpërdorimit të fesë dhe duke e parë instrumentalizimin e sajë për të realizuar plane e qëllime të llojllojshme, sot, me trishtim po detyrohemi të pyesim vehten: Ku mbetën postulatet e feve hyjnore -toleranca dhe paqa, bashkëjetesa dhe mirëkuptimi ? Nëse Zoti i krijoi njerëzit të ndryshëm që të njihen më mirë e të duhen me njëri tjetrin, kush janë njerëzit që të nëpërkëmbin këto urdhëra ?

Është e dhembshme, por ja që sot shumë njerëz po e dëshmojnë përkatësinë e tyre dhe dashurinë ndaj fesë e kombit duke i urrejtur të tjerët, duke i vendosur rrënjët sa më largë në histori e duke promovuar një superioritet falco që në fund po shndërohet në shovenizëm, fanatizëm e ekstremizëm. Eshtë e dhemvshme sepse i tërë ky mllef dhe urrejtje e grumbulluar nuk po prodhojnë asnjë benefit për askënd përveç për ata që po e menaxhojnë urrejtjen. Ndërkohë, njeriu i rëndomtë, i trullosur nga fjalët boshe, po vazhdon të paguajë ujin, rrymën, ngrohjen, shkollimin e fëmijëve, sepse asnjë nacionalizëm dhe ekstremizëm asnjëherë nuk i kanë paguar faturat, ato vetëm e sjellin llogarinë në fund të muhabetit.

Sidoqoftë, pa asnjë fije dyshimi, keqpërdorja e ndjenjave më përsonale, më fisnike e më të pastërta siç janë besimi në Zot dhe dashuria ndaj kombit, paraqet mëkat të pafalshëm pikërisht sepse shkakton pasoja të shumta që nuk eliminohen lehtë. Dhe, nëse e tërë kjo orkestrohet nga qarqe politike dhe me qëllim të marrjes a të përforcimit të pushtetit, mëkati shumëfishohet.

Lexova para do kohe një thënie briliante të Edmund Burke, babait ideologjik të legjendës politike Ëinston Churchil, i cili politikën e cilëson si” Një fushë në të cilën kanë frikë të ecin edhe engjujt, ndërkohë që të marrët hyjnë me vrull”. Cfarë mendimi dhe çfarë cilësimi, çfarë definimi për politikën, anipsei thënë përpara shumë vjetësh. Jo rastësisht diplomacia angleze vlerësohet në botë si shkollë për të gjithë të tjerët.

Mendoj se nga kjo thënie e shkurtër do të duhej të nxjerrin mësim të gjithë këta politikanë të cilët në rajon po bëjnë eksperimente me durimin dhe me shpresat e njerëzve që po ju shkojnë pas, në veçanti këta që nuk po ngurojnë të thirren në emër të një madhështie të imagjinuar të kombit të vetë ose edhe më keq, në emër të Zotit e të fesë. Por, a thua mundë të mësojë diçka nga thënia e Burke një politikani cili përkrahësve të vetë , pa u turpëruar nga vehtja, ju thotë :

Ne do fitojmë sepse Zoti ynë është më i fortë se Zoti i tyre?!. Vështirë se të atillët mundë të mësojnë çkadoqoftë të hajrit sepse janë të mbyllur hermetikisht brënda suazave të urrejtjes që e kanë prodhuar vetë. Të atillët nuk mund të kuptojnë se qëndrimin politik dhe intelektual, si edhe parimin sipas të cilit do të udhëheqet bota, nuk e vendosin autsajderët , politikanët e ardhur nga margjinat, të marrët që në fushën e politikës hyjnë me vrull, humbësit që dëshirojnë të imitojnë fituesin.Boten mundë t’a drejtojnë vetëm të mençurit dhe guximtarët.

Sëkëndejmi, kam bindjen se individë dhe grupe që për momentin po veprojnë në rajon dhe në veçanti në Maqedoni për të penguar proceset evrointegrative e për t’a dështuar referendumin që është jetik për perspektivat e njerëzve në Maqedoni, në mënyrë tejet sipëfaqësore po e perceptojnë politikën dhe pasojat që mundë t’i krijojnë veprimet e tyre përçarëse e nxitëse.

Përfundimisht, njeriu i cili dëshiron të jetojë jetën ashtu si duhet, duhet të kuptojë çka është e mirë dhe çka është e keqe në jetë . Individët, por edhe popujtë, nuk mund të jetojnë të kënaqur e të lumtur nëse e kanë humbur besimin.Lumturia e vërtetë është te besimi në Zot, e Zoti porositë njerëzit të duhen e të respektohen, i udhëzon udhëheqësit të gjejnë rrugët për lumturinë dhe rehatinë e njerëzve në këtë botë. Udhëheqësit e mirë e të drejtë besojnë dhe angazhohen për një qëllim që është i drejtë për të gjithë, të vetëdijshëm se besimi i vërtetë hynë në zemër vetëm në qetësi dhe në vetmi, duke u lutur për mirëqenien e të gjithë njerëzve. Zhurma, mburja, nxitja dhe urrejtja e largojnë besimin.

Po të kishim në zemrën tonë vetëm një grimcë të mëshirës me të cilën Zoti e ka mbuluar botën, njeriu për njeriun nuk do të ishte ujk. Po të depërtonte në shpirtin tonë vetëm një rreze e dritës me të cilën Zoti e ndriçon jetën e njeriut, nuk do të ekzistonin urrejtja, smira, lufta,krimi…