Komandantët në Hagë, emrat që u përballën me Specialen gjatë 2019-ës

Gjykata Speciale pa dyshim që është njëra ndër zhvillimet kryesore të vitit që lamë pas.Në fakt, Specialja rrotulloi edhe skenën politike në Kosovë, ku si rrjedhojë vendi mbeti pa kryeministër, nga ku u mbajtën zgjedhjet e parakohshme më 6 tetor, shkruan lajmi.net.

Marketing

Si filloi puna e Dhomave të Specializuara të Prokurorisë dhe cilat ishin figurat kryesore të UÇK-së që morën ftesa?

Ftesat e para të Speciales arritën në Kosovë në fund të muajit nëntor të vitit 2018. Fillimi i dhjetorit ishte periudha kur këto ftesa veç kishin nisur të publikohen, qoftë nga vet të ftuarit qoftë nga avokatët e tyre.

Ndër të parët që u ftuan nga Dhomat e Specializuara të Prokurorisë në Hagë, është komandanti i UÇK-së nga zona e Llapit, Rrustem Mustafa, ish-pjesëtari i UÇK-së, Safet Syla, ish kryetari i Gjykatës Ushtarake të UÇK-së, Sokol Dobruna, si dhe ish-pjesëtari i UÇK-së nga Pashtriku, Remzi Shala, në luftë i njohur me nofkën “Molla e Kuqe”.

Në fakt ky i fundit ishte i ftuari i vetëm që tentoi të arratiset nga ftesa e ardhur në Haga.

Shala qëndroi për disa muaj në arrati, teksa më 24 maj u arrestua në Kosovë, nga ku u dërgua në paraburgim për shkak të një rasti tjetër për të cilin po gjykohej nga Gjykata e Prizrenit.

Sokol Dobruna – Ish-kryetari i Gjykatës Ushtarake të UÇK-së, Sokol Dobruna ishte intervistuar më 13 dhjetor nga prokurorët e Hagës. Intervistimi i tij kishte zgjatur rreth gjashtë orë. Sipas tij, ai nuk e kishte të qartë cilësinë në të cilën ishte ftuar, por që në njërën nga letrat shkruante se ai ishte dëshmitar.

Rrustem Mustafa – Më 14 janar 2019-të, Rrustem Mustafa ishte intervistuar nga Prokurorët e Speciales në Hagë. Intervistimi i tij kishte zgjatur rreth nëntë orë, teksa pas përfundimit, Mustafa ishte shprehur se pyetjet nga prokurorët e hetuesit kanë qenë shumë serioze, dhe se ai ishte marrë në pyetje si “dëshmitar i dyshuar”, cilësi kjo që nuk ekziston në Procedurën Penale.

Sami Lushtaku – Ish-komandanti i UÇK-së nga Zona e Drenicës, Sami Lushtaku, ishte intervistuar më 16 janar në Hagë. Intervistimi i tij kishte zgjatur rreth katër orë. Edhe Lushtaku në Hagë ishte ftuar në cilësinë e të dyshuarit.

Sylejman Selimi – Komandanti i përgjithshëm i UÇK-së, Sylejman Selimi ishte intervistuar më 6 shkurt 2019. Marrja në pyetje e Selimit kishte ndodhur në Prishtinë, teksa për të nuk ishin dhënë shumë detaje përveç që i njëjti kishte qenë në cilësinë e të dyshuarit.

Lahi Ibrahimaj – Ish-gjenerali i UÇK-së nuk kishte treguar shumë për intervistimin e tij nga Specialja. Ai ftesën e kishte marrë më 11 shkurt të 2019-tës, teksa kishte thënë se do t’i përgjigjet pozitivisht ftesës.

Ramush Haradinaj – Ftesa që natyrisht kishte shkaktuar më së shumti “tërmet politik” në Kosovë ishte ajo e ish-komandantit të UÇK-së nga Dukagjini, Ramush Haradinaj. Ai u ftua më 19 korrik të këtij viti nga Specialja. Po atë ditë, në konferencën për media pas mbledhjes së Qeverisë, ai do ta shpallte edhe dorëheqjen e tij nga posti i kryeministrit. Ky veprim i tij vinte pasi që siç deklarohej ai, nuk mund të udhëtonte e të intervistohej në Hagë si kryeministër, por vetëm si qytetar i thjeshtë. Intervistimi i Haradinajt më 24 korrik nuk kishte zgjatur shumë, pasi që ai ishte mbrojtur në heshtje në cilësinë e të dyshuarit. Dorëheqja e Haradinajt do i kishte paraprirë mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme të 6 tetorit, ku subjekti i ish-kryeministrit u rradhit si forca e katërt politike në Kosovë.

Jakup Krasniqi – Ish-zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi, ishte intervistuar në të njëjtën ditë si Ramush Haradinaj, pra më 24 korrik nga prokurorët e Hagës. As intervistimi i tij nuk kishte zgjatur shumë, për shkak se i njëjti kishte zgjedhur të mbrohej në heshtje. Në të kaluarën, Krasniqi ishte funksionar i lartë i Partisë Demokratike të Kosovës, teksa për një kohë kishte mbajtur edhe pozitën e kryetarit të Kuvendit.

Shukri Buja – Ish komandanti i UÇK-së nga Zona e Nerodimes, Shukri Buja ishte ftuar për rreth dy orë më 23 korrik 2019. Ai ishte intervistuar në cilësinë e të dyshuarit nga prokurorët e Hagës.

Bislim Zyrapi – Lajmin për ftesën e Zyrapit e kishte bërë të ditur presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi më 19 korrik të këtij viti, pikërisht në ditën kur Haradinaj kishte dhënë dorëheqje. Zyrapi në luftë kishte funksionin e shefit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.

Azem Syla – Ftesa për Azem Sylën ishte bërë e ditur më 21 tetor të këtij viti. Syla gjatë luftës mbante pozitën e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së. Në të kaluarën Syla kishte qenë edhe funksionar i lartë i PDK-së.

Kadri Kastrati – Ish-komandanti i FSK-së, Kadri Kastrati ishte ftuar nga Specialja më 17 tetor të këtij viti. Intervistimi i tij kishte ndodhur në javën e parë të muajti nëntor, por që i njëjti nuk kishte treguar cilësinë në të cilën ishte ftuar.

Sokol Bashota – Ish kryetari i Klinës ishte ftuar në cilësinë e të dyshuarit nga Specialja. Intervistimi i tij kishte ndodhur më 18 shtator të këtij viti. Pas intervistimit, Bashota kishte shkaktuar reagime të shumta, duke thënë se prokurorët e Hagës i kanë ofruar atij një marrëveshje, por pa treguar se cila ishte ajo.

Ramiz Lladrovci – Kryetari i Drenasit ishte ftuar më 8 nëntor nga Specialja. Ai ishte intervistuar më 19 dhjetor nga prokurorët e Hagës në cilësinë e të dyshuarit. Lladrovci gjatë luftës veprimtarinë e tij e kishte ushtruar në Zonën Operative të Drenicës.

Kadri Veseli – Se Veseli është intervistuar nga Prokurorët e Hagës ishte raportuar edhe më herët, mirëpo të njëjtat ishin demantuar. Ai zyrtarisht në Zyret e Prokurorit të Specializuar u paraqit më 10 dhjetor. Veseli nuk kishte folur as për cilësinë në të cilën ai ishte ftuar, por që nga ajo që ishte kuptuar ishte fakti se ai ishte mbrojtur në heshtje. Pas intervistimit ai ishte shprehur i bindur se ish-pjesëtarët e UÇK-së do të dalin faqebardhë edhe nga kjo sfidë. Veseli gjatë luftës mbante pozitën e shefit të Shërbimit Sekret të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Rexhep Selimi – Ai ishte ftuar më 10 nëntor nga Prokurorët e Speciales në Hagë në cilësinë e të dyshuarit. Intervistimi i tij kishte ndodhur një javë më pas. Për ftesën e Selimit ishte folur shumë nëpër media, duke u përmendur fakti që ai është njëri ndër zyrtarët e paktë të VV-së që do të ketë punë me Specialen, mirëpo pavarësisht kësaj, nga kryetari i partisë së tij, Albin Kurti nuk kishte pasur asnjë reagim.

Abelard Tahiri – Ministri i Drejtësisë, ishte intervistuar më 11 nëntor të këtij viti në Hagë. Tahiri nuk ishte ftuar për shkak të veprimtarisë gjatë luftës, por për shkak të dyshimit për rrjedhje të informacioneve. Intervistimi i Tahirit në Hagë zgjati dy ditë.

Emra tjerë të njohur që u ftuan nga Specialja: Safete Hadërgjonaj, Time Kadriaj, Ismet Tara, Kadri Kastrati, Nuredin Ibishi, Smajl Latifi, Fadil Beka, Blerim Kuçi, Zafir Berisha, Sabit Geci.

Ngritja e aktakuzave me gjasë pritet të ndodhë qysh në fillim të janarit. Zyrtarë të Speciales tashmë ua kanë marrë dokumentet e udhëtimit disa prej të ftuarve në cilësinë e të dyshuarve. Aktakuzat, sipas burimeve të lajmi.net, veç se janë gati, ndërsa ngritja e tyre mund edhe mos të bëhet e ditur për publikun. Sidoqoftë, ngritja e aktakuzave pritet të përcillet edhe me arrestime të mundshme, nga të cilët mund të mos shpëtojnë as ish-komandantët e njohur të luftës. Gjatë këtij muaji, në Kosovë kanë qëndruar zyrtarë të institucionit të Prokurorisë së Specializuar, nga ku janë takuar edhe me avokatët e akredituar.

Gjatë këtij viti në zyret e Prokurorisë së Specializuar qëndruan disa zyrtarë gjermanë. Ata paralajmëruan se nga kjo gjykatë mund të dënohen edhe figura të shquara të UÇK-së. Gjykimet, ose më saktë një pjesë e tyre pritet të jenë publike, ndërkaq që do të mbyllen në raste kur aty dëshmojnë dëshmitarë të mbrojtur. Deri tani, dihen emrat e të gjithë gjykatësve të Speciales, por që nuk dihen emrat e prokurorëve.