Komandanti me origjinë shqiptare që refuzoi të shtiejë ndaj protestuesve irakianë (FOTO)

Nga Ermal Bega/Ditët e fundit, gjithashtu jemi dëshmitarë të protestave paqësore kundër pushtetit të qeverisë së korruptuar në Irak. Pas shumë periudhave të këqija që ka kaluar Iraku që nga viti 2003 kur u pushtua dhe terrorizua pa të drejtë, e deri më sot, populli atje ka vuajtur pasoja nga më të ndryshmet. Për fat të keq, po ashtu, kohët e fundit, atje kanë vuajtur dhe po vuajnë dhe komuniteti i Arnautëve (shqiptarëve) të Irakut.

Marketing

 

Kam pasur fatin që gjatë vizitës sime në Irak në vitin 2016, të takohem me një grup goxha të madh Arnautësh të Irakut (rreth 20 veta), ku të gjithë vinin nga Bagdadi dhe rrethinat atje, si dhe të gjithë mbanin mbiemrin Arnauti, dhe ishin krenarë që ishin me origjinë shqiptare, të ardhur atje gjatë kohës së Shtetit Osman, ku Arnautët (shqiptarët) me kokën lartë shkonin në të gjitha territoret e atij shteti të madh si sundues dhe zyrtarë. Këtu nuk dua të tregoj më shumë për Arnautët atje (sepse do të shkruaj një shkrim të veçantë), por doja të vija në dukje një ngjarje të ndodhur kohët e fundit në Irak.

Në protestat e fundit paqësore kundër qeverisë në Irak, populli i zemëruar kërkonte nga qeveria vetëm liri, drejtësi dhe barazi në mënyrë të drejtë të sundimit, por qeveria kishte dhënë urdhër që protestat e lira të protestuesve të cilët kërkonin të drejta qytetare, të shtypen me dhunë nga milicia, bile duke vrarë dhe qytetarë të pafajshëm protestues. Me këtë rast, edhe Arnautit (shqiptarit) nga Iraku, gjeneral Muntaser Arnauti, pjesëtar i forcave speciale irakene, i ishte dhënë një urdhër i tillë para disa ditësh, për t’i shtypur ato protesta me dhunë, por ai nuk kishte pranuar, dhe për arsye të këtij refuzimi, ai u vra para disa ditësh nga një snajper i panjohur në Bagdad. Lutjet tona tek Zoti i Madhëruar shkojnë për shpirtrat e lirë që nuk e duan dhunën dhe padrejtësinë, ashtu si vëllai ynë Arnaut (shqiptar) në Bagdad dhe në tërë Irakun. Paqja sundoftë gjithashtu në tërë Irakun, djepin e qytetërimit botëror!

Autori është orientalist – Qendra Shqiptare për Studime Orientale (Acfos Albania) Tiranë